Ambasadori i Bashkimit Europian Ettore Sequi, jep reagimin e tij të parë pas vendimit të Këshillit për statusin. Për ambasadorin Sequi Këshilli ka folur qartë, vlerësohet angazhimi i qeverisë në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, por duhet konsolidim i ecurisë pozitive. Këshilli vendosi që të shtyjë përgjigjen për statusin e vendit kandidat për në qershor. 

Pyetja ime ka të bëjë me arsyet e kësaj shtyrje, erdhi për shkaqe të brendshme si deklaron dhe opozita apo të jashtme? 
 Para së gjithash duhet të sqarojmë se qëndrimi ishte mjaft i qartë. Këshilli ka njohur progresin që ka bërë Shqipëria së fundmi, për të cilin të gjitha 28 vendet anëtare ranë dakord. Do të doja të ndaja me ju disa mesazhe: Këshilli thotë se aksionet e ndërmarra në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar, së bashku me angazhimin e qeverisë së re janë mirëpritur. Por gjithashtu ka rekomanduar për të vazhduar me luftën kundër korrupsionit dhe ka inkurajuar qeverinë që të ruajë këtë vrull. 

Pra, ka një vlerësim dhe njohje e progresit. Përveç kësaj, Këshilli ka vendosur t'i kërkojë Komisionit që të përgatisë një raport në qershor të 2014-ës dhe në bazë të këtij raporti, duke u bazuar dhe në progresin që do jetë bërë deri në atë moment, këshilli do të vlerësojë për t'i dhënë statusin kandidat Shqipërisë. Këshilli e ka thënë qartazi që ka pasur progres, por është i domosdoshëm që ai të konsolidohet. Këshilli ka dhënë edhe një mesazh tjetër që mendoj se është shumë i rëndësishëm: Të 28 vendet anëtare të BE kanë theksuar, se duhet dialog konstruktiv dhe i qëndrueshëm midis qeverisë dhe opozitës, veçanërisht rreth reformave që kanë lidhje me Bashkimin Evropian. 

Në fakt, vendimi për statusin është çështje kohe. 

Ç’mund të bëhet më mirë deri në muajin qershor, nga qeveria dhe opozita, në mënyrë që të mos humbet mundësia e radhës? 
 Besoj se, siç e ka njohur dhe Këshilli dhe e thashë edhe pak më parë, përpjekja është e përgjithshme dhe siç e kam thënë dhe herë të tjera është një përpjekje e të gjithë vendit. Pra, e opozitës dhe e qeverisë, një qasje gjithëpërfshirëse në rrugën drejt Bashkimit Evropian. Këshilli ishte shumë i qartë: Duhet dialog konstruktiv dhe i qëndrueshëm për reformat që janë të nevojshme. Dua të theksoj atë çfarë tha edhe komisioneri Fyle një ditë më parë: Jemi drejt rrugës së sigurt për takimin e qershorit. Mendoj se ky është mesazh i rëndësishëm. 

Në vend është një lloj perceptimi se ka skepticizëm të pabazuar ndaj Shqipërisë në Bruksel. Dhe kjo lidhet edhe faktin se Serbia e mori statusin, pavarësisht se Hollanda kishte kritika, vendet e BE-së një pjesë prej tyre, nuk ishin aq hezituese sa me Tiranën zyrtare? 

Janë dy pika që duhen sqaruar për këtë çështje: E para, që procesi i integrimit është shumë objektiv, ka standarde e rregulla dhe ky është një proces i bazuar në merita. Për sa i përket pikës së dytë që doja të theksoja është se nga BE-ja nuk ka lodhje, por përkundrazi, ka njohje të progresit të Shqipërisë dhe gjuha e Këshillit ishte shumë e qartë dhe shumë inkurajuese. 

 / News 24 /