DURRËS, 26 nëntor 2013 – Bashkia e Durrësit ka organizuar një ceremoni solemne në përkujtim të ngritjes së flamurit të pavarësisë në Durrës më 26 nëntor 1912. Në këtë ceremoni kanë marrë pjesë kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i këshillit të qarkut Alfred Mullaraj, veteranë, përfaqësues të komuniteteve fetare etj. Pas tingujve të himnit kombëtar, flamurin përpara bashkisë, në të njëjtin vend ku është shpalosur edhe përpara 101 vitesh, e ka ngritur kryetari i bashkisë së Durrësit Vangjush Dako. Qytetari nr. 1 deklaroi se të gjithë përulen me respekt përpara të gjithë atyre patriotëve që sakrifikuan gjithçka për pavarësinë e vendit. Dako theksoi se ishte i nderuar dhe i prekur të përsëriste 101 vjet më pas, me solemnitet dhe përgjegjësi, aktin historik që kreu kryetari i parë i bashkisë së Durrësit Hafiz Ali Podgorica, duke ngritur flamurin shqiptar më 26 nëntor të vitit 1912 dhe se kjo është ngjarja më e rëndësishme historike e këtij qyteti në gjithë shekullin e 20-të e në vijim. Fjalën e rastit e ka mbajtur drejtori i arsimit, kulturës, rinisë, sportit dhe komuniteteve fetare në bashkinë e Durrësit Adrian Gurra, i cili deklaroi: “Ne u kushtojmë nderimin e merituar atyre veprimtarëve, që i përballuan këto detyra historike dhe e siguruan udhëtimin e Ismail Qemalit drejt pavarësisë me njerëz të devotshëm, të kryesuar nga atdhetari Kasem Durrësi. Mendja dhe nderimi ynë shkojnë sot te nënshkruesit e Shpalljes së Pavarësisë që vinin nga paria e tre besimeve: Hysen Fani, Isuf Ramzoti, Aleks Duka, Abdyl Qerim Kurti, Sotir Veveçka, Kristaq Rama, Filip Serreqi, Hafiz Isuf Gjoni, Stefan e Marie Kaçulini e të gjithë ata që përgatiten dhe valëvitën flamurin kombëtar në qytetin tonë; për delegatët durrsakë Dom Nikollë Kaçorri, Abaz Çelkupa, Mustafa Hanxhiu dhe Jahja Ballhysa, që ditë më pas nënshkruan në dokumentin historik të pagëzimit të pavarësisë”.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





