Nuk identifikohet i ndjeri, trupi i viktimës ndodhet në morgun e spitalit rajonal të Durrësit: moshë 25-35 vjeç, shkalla e lartë e dëmtimit shkaktuar edhe nga mjete të tjera në lëvizje, saktësimi i detajeve të tjera fizike ose të veshjes paraqitet i vështirë

DURRËS, 26 nëntor 2013 – Autostrada nga kryeqyteti në drejtim të qytetit bregdetar vazhdon të marrë jetë njerëzore, sikurse ndodhin natën me shi e hënë-e martë, ku ka ndërruar jetë një njeri që udhëtonte më biçikletë, i goditur nga një veturë. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun Durrës-Krujë ka njoftuar paraprakisht se gjatë natës së 26 nëntorit 2013, në autostradën Tiranë-Durrës, me të njëjtin kah lëvizjeje, në afërsi të biznesit të automjeteve “Toyota” në Sukth ka ndodhur një fatkeqësi rrugore tragjike. Dyshohet se Endri K., 27 vjeç, me banim në Durrës, duke drejtuar automjetin me targa AA909FI, ka aksidentuar për vdekje një biçikletist të paidentifikuar deri tani. Aktualisht drejtuesi i mjetit ndodhet i shoqëruar në postën e policisë së Shijakut, ku po kryhen veprime procedurale. Vijon puna për identifikimin e viktimës së aksidentit; aktualisht trupi ndodhet në morgun e spitalit rajonal të Durrësit. Policia thotë se i ndjeri ka një moshë 25-35 vjeç. Blutë nuk japin hollësi të tjera, pasi, për shkak të shkallës së lartë të dëmtimit shkaktuar edhe nga mjete të tjera në lëvizje, saktësimi i detajeve të tjera fizike ose të veshjes paraqitet i vështirë.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/