TIRANE, 26 nentor 2013-Admir Tafili, bashkë me dy të dënuar të tjerë me burgim të përjetshëm po planifikon arratisjen nga burgu i sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. Një tjetër i dënuar ka mundur të fusë armë në ambientet e burgut, përmes një frigoriferi…”. Përmes një shkrese të klasifikuar si “Tepër Urgjent” dhe “Sekret”, që mban datën 25 shtator 2013, ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri paralajmëroi dy muaj më parë, për planin e një arratisjeje që po “thurej” në burgun e sigurisë së lartë në Drenovë të Korçës. “Gazeta Shqiptare” ka arritur të njihet me shkresën e përpiluar vetëm pak ditë pasi Tahiri mori detyrën e ministrit të Brendshëm, e cila i është drejtuar ish-Drejtorit të Përgjithshëm të Burgjeve, Gazment Dibra. 
Në këtë dokument, ministri Tahiri është vënë në dijeni për planin e arratisjes, që në fakt, do të vihej në jetë më 23 nëntor 2013, ku shtatë të dënuar, katër prej të cilëve me burg përjetë, arritën të ‘shpërthenin” dyert e burgut. Nëse shkresa, e cila mban firmën e ministrit Tahiri  do të ishte vlerësuar si duhet në kohë nga institucionet përgjegjëse, mbase arratisja spektakolare, që dëshmoi për një sistem tejet të dobët sigurie në burgjet shqiptare, mund të ishte parandaluar. 

/Gazeta Shqiptare/