Nëse në nivel republike për periudhën 17 tetor-17 nëntor 2013 ka pasur gjithsej 163 fatkeqësi rrugore, 20 të tilla ose 12,2 për qind e tyre, i takojnë territorit të qarkut Durrës-Krujë

DURRËS, 25 nëntor 2013 – Segmentet rrugore Ura e Dajlanit-Plepa dhe ura e Tapizës-Fushë Krujë janë futur në listën e zezë të uniformave blu për mosrespektim i sinjalistikës nga këmbësorët dhe shpejtësi tej normave të lejuara. Sipas buletinit informativ për veprimtarinë e policisë së shtetit për periudhën 17 tetor-17 nëntor 2013, në aspektin e sigurisë rrugore (shih tabelën poshtë), qarku Durrës-Krujë renditet ndër më problematikët. Nëse në nivel republike për këtë periudhë ka pasur gjithsej 163 aksidente rrugore, 20 të tilla ose 12,2 për qind e tyre, i takojnë territorit të qarkut Durrës-Krujë. Në to kanë vdekur 4 shtetas nga 20 në shkallë vendi (20 për qind e numrit gjithsej) dhe janë plagosur 13 veta nga 192 gjithsej si republikë (6,7 për qind). Kjo denduri e lartë fatkeqësish rrugore kanë detyruar uniformat blu të vendosin 6 281 masa administrative, që përfaqësojnë 15 për qind të atyre të vendosura në shkallë vendi. Në rastin e Durrësit kemi një dukuri që tërheq vëmendjen: 58 për qind e masave të vendosura janë për ndalim pushimi, një gangrenë sidomos për qytetin bregdetar, ku parkohet vend e pavend. Po ashtu, denduri jo të vogël ka drejtimi i veturave pa rrip sigurimi, ku janë vënë 1653 gjoba, që përfaqësojnë mbi 26 për qind të masave administrative. Janë bllokuar 41 automjete etj.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/