Komiteti Teknik i Ekspertëve sugjeron që gjimnazet të kryejnë mësim në klasa dhe jo nëpërmjet mësimit të kombinuar.

Në një konferencë shtypi, Mira Rakacolli theksoi se do t’i sugjerojnë Ministrisë së Arsimit që të në gjimnaze mësimi të kryhet në klasa duke respektuar protokollet anti-Covid.

“Duke parë këtë situatë epidemiologjike Komiteti Teknik i Ekspertëve mendon që t’i propozojë Ministrisë së Arsimit që të kalojë parauniversitarin nga skenari i kombinuar me atë të prezencës në klasë duke ndjekur protokollet higjieno-sanitare. Beteja me Covidin vazhdon”.

Ndërkohë, masat e tjera kufizuese nuk janë ndryshuar dhe janë lënë në fuqi, sikurse është lejimi i lëvizjes deri në orën 22:00. Kurse incidenca 2-javore ka pësuar ulje. Nga rreth 25 mijë raste aktive që ka qenë, aktualisht është ulur në 20.586.