Mbi 165 mijë persona me aftësi të kufizuara, tre muaj pa pagesa. “Panorama” duke iu referuar Ministrise shkruan sot se pagesat për kujdestarët shtyhen në 2014.
20 nëntor 2013- Prej tre muajsh mbi 165 mijë persona me aftësi të kufizuara në mbarë vendin po përballen me vonesa në marrjen e pagesave mujore. Ndërsa ka nisur shpërndarja e pagesave për një muaj, kujdestarëve të tyre do t’u duhet të presin vitin e ardhshëm për të marrë lekët. Përfaqësues të Ministrisë së Mirëqenies Sociale bëjnë të ditur se kjo situatë është krijuar nga mungesa e fondeve dhe për këtë arsye është vendosur që për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, pagesat e prapambetura të shlyhen duke nisur nga muaji janar i vitit të ardhshëm.
“Për pjesën më të madhe të njësive të qeverisjes vendore janë akorduar fondet dhe ka nisur tashmë shpërndarja e pagesave bazë për personat me aftësi të kufizuara, të verbrit dhe ndihmën ekonomike. Ndërkohë, për shkak të mungesës së fondeve, për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara, pagesat e prapambetura do të rimbursohen duke filluar nga muaji janar i vitit të ardhshëm. Nuk ka asnjë vendim për të hequr pagesat për kujdestarët e personave me aftësi të kufizuara”, sqaron zyra e shtypit pranë Ministrisë së Mirëqenies Sociale. Vonesa me pagesat janë krijuar edhe për mbi 100 mijë familje që trajtohen me ndihmë ekonomike. Por, edhe për këtë kategori sociale, Ministria ka urdhëruar njësitë e qeverisjes vendore që me fondet e akorduara së fundi të kryhen pagesat për ato familje që janë në kushte më të vështira ekonomike.
Sipas të dhënave nga Shërbimi Social, numri më i madh i familjeve që trajtohen në skemën e ndihmës ekonomike është i përqendruar në zonat veriore dhe verilindore të vendit, ku shpërndahet dhe masa më e madhe e fondeve të akorduara për këtë program. Pjesa më e madhe e familjeve që bëjnë pjesë në këtë skemë, rreth 70 mijë, përfitojnë ndihmë të pjesshme ekonomike, e cila është në masën 4500 lekë në muaj, dhe rreth 30 mijë familje trajtohen me ndihmë të plotë, që është 9000 lekë në muaj. Në të njëjtën situatë gjenden edhe invalidët e punës, të cilët nuk po i marrin pagesat rregullisht. Për vitin 2013, ish-Ministrisë së Punës, për programin mbrojtja sociale (ndihmë ekonomike dhe pagesat për PAK), i është akorduar fondi prej 17.4 miliardë lekësh.
Pjesa më e madhe e këtij fondi, 13.2 miliardë lekë, janë programuar për pagesat e personave me aftësi të kufizuara. Ndërsa për pagesën e ndihmës ekonomike janë programuar 4.2 miliardë lekë. Sipas të dhënave nga Ministria e Mirëqenies Sociale, deri në muajin qershor nga ky fond janë shpenzuar 11 miliardë lekë, nga të cilat 9.4 miliardë lekë kanë shkuar për personat me aftësi të kufizuara.
Ndërkohë, gjatë periudhës qershor-shtator 2013 është disbursuar shuma 3.7 miliardë lekë. Nga kjo, 2.1 miliardë janë disbursuar për personat me aftësi të kufizuara. Duke marrë shkas nga problemet me pagesat, vitin e ardhshëm, pritet të ndërmerret një reformë e re në skemën e ndihmës ekonomike dhe atë të trajtimit të personave me aftësi të kufizuara, me qëllim shmangien e abuzimeve.





