Nga Gladiola Busulla
Durrës, 19 nëntor 2013 – Gjithnjë më kanë kuriozuar Pllakat e Smeraldta të Thot, misteri që fshehin, enigmat që lëvrijnë, deshifrimi dhe mosdeshifrimi i informacionit antik. Historia e Pllakave të Smeraldta është e habitshme, sepse shkon përtej empirizmit të shkencëtarëve modernë. Lashtësia e këtyre pllakave është e jashtëzakonshme. Ato datojnë rreth 36.000 vjet para Krishtit. Autori i tyre është Thoth, Mbret-Prift Atlantidas. Ato përmbajnë dijen e mençurisë antike të Atlantidës së lashtë, e mbushur metoka pjellore, pallate madhështore e tempuj mahnitës kushtuar Posedonit.
Në ketë qytetërim arkitektura,ekonomia dhe fushat e tjera ishin shumë të zhvilluara. Sipas historisë Poseidoni, zoti i deteve, e ndërtoi Atlantidën të rrumbullakët. Dy rrethe toke dhe tre uji njëra brenda tjetrës (koncetrike) i dhanë asaj një formë të veçantë dhe unike për te gjitha kohërat.
Kjo formë është bërë simboli i atij qytetërimi të hershëm.Por le t’u rikthehemi, Pllakave të Smeraldta të cilat iu lanë priftërinjve të Piramidës së Madhe, të cilat përmbajnë sekrete që shërbejnë si dëshmi vlerash të paçmuara. Ato duhet të lexohen jo një herë, por qindra herë, sepse vetëm në këtë mënyrë mund të zbulohet kuptimi i vërtetë. Një lexim i rastësishëm ofron rreze bukurie drejt së panjohurës, por një studim më intensiv ndoshta do të ndikonte në perceptime, ende të paimagjinueshme nga mendja humane.
Rreth 1300 vjet para Krishtit, Egjipti, Khem i lashtë, ishte në trazira dhe mërgata priftërinjsh u dërguan në pjesë të tjera të botës. Midis tyre ndodheshin disa priftërinj të piramidës, të cilët morën me vete Pllakat e Smeraldta si një hajmali nëpërmjet së cilës, ata do të ushtronin autoritetin e tyre mbi klerikët më pak të zhvilluar, pasardhës gjithashtu të kolonive të tjera të Atlantidës. Sipas legjendës, Pllakat i jepnin mbartësit autoritetin e Thoth. Grupi i veçantë i priftërinjve, që mbarti pllakat, emigroi në Amerikën Jugore ku ata gjetën një racë të zhvilluar, Maya-t të cilët kishin ruajtur shumë nga mençuria e lashtë. Priftërinjtë u vendosën dhe qëndruan midis tyre. Në shekullin e dhjetë, Mayat ishin të vendosur në krejt gadishullin Yukatan dhe pllakat ishin vendosur poshtë altarit të njërit prej tempujve të mëdhenj të Zotit Diell. Pas pushtimit të Maya-s nga spanjollët, qytetet u braktisën dhe thesaret e tempullit u harruan.
Përbërja e Pllakave të Smeraldta
Ato janë dymbëdhjetë pllaka smeraldi të gjelbër, të formuara nga një substancë e dalë prej shndërrimeve alkimike. Ato janë të pashkatërrueshme, iu rezistojnë të gjithë elementëve dhe substancave që njohim deri më sot. Në fakt, struktura atomike dhe molekulare është e qëndrueshme, nuk pësojnë asnjë ndryshim, proceset e kohës nuk ndikojnë mbi to, dhe as proceset kimike gjithashtu. Një fenomen i tillë hedh poshtë ligjin e jonizimit.
Mbi to janë gdhendur shenja në gjuhën e lashtë të Atlantidës: shenja të cilat iu korrespondojnë valëve të caktuara të mendimit, që çlirojnë vibrimin korrespondues mendor në mendjen e lexuesit. Pllakat janë kapur së bashku më rrathë të një aliazhi (lloj lidhje) ngjyrë të artë, e varur në një purtekë prej të njëjtit material. Kjo, për sa i takon aspektit material. Mençuria që ndodhet në to është themeli i mistereve antike. Kushdo që do t’i lexojë me zemër dhe mendje të hapur, mençuria e tij do të rritet në mënyrë të ndjeshme.
Lexo! Beson apo jo, por lexo!
Dhe vibrimi i gjetur do të rizgjojë një përgjigje në shpirtin tënd. Është i pafund kërkimi njerëzor mbi kuptimin e ligjeve që rregullojnë jetën, e megjithatë e vërteta ekziston gjithmonë, pas pëlhurës që mbron planet më të larta të ekzistencës nga vizioni material i njeriut, e gatshme të asimilohet nga kushdo që zgjeron vizionin e vet së brendshmi. Në heshtjen e shqisave fizike ndodhet çelësi për zbulimin e mençurisë. Ai që flet, nuk di; ai që di, nuk flet. Shkenca e ka të pamundur t’i pranojë Pllakat e Thoth-it, sepse po t’i pranojë, do t’i duhet të rishikojë nga e para të gjitha teoritë e saj; studimet dhe përfundimet e tyre, aq fort të propaganduara deri në këtë moment. Pllakat u shfaqën për herë të parë në Mesjetë, por është e panjohur mënyra si u rigjetën, Asnjë nuk e di me saktësi .Disa kërkues hipotezojnë se janë gjetur në një nga dhomat e Piramidës së Keopsit, por janë thjesht supozime; mbetet vetëm fakti që Thoth figuron si një Zot në zbukurimet pikturore të Egjiptit të lashtë. Ja një fragment i shkëputur nga Pllakat e Smeraldta:
Kërkova zemrën e Përjetësisë përmes të gjitha kohërave. Thellë e më thellë, unë gjeta gjithmonë e më shumë mistere. Tani duke parë mbrapa, përmes kohërave, unë di se mençuria është e pakufizuar, rritet gjithmonë e më e madhe në të gjitha kohët, Një me Përjetësinë dhe më e madhe se gjithçka.





