DURRËS, 18 nëntor 2013 – Prefekti i Qarkut të Durrësit Roland Xhelilaj ka kërkuar më 18 nëntor 2013 bashkërendimin e veprimtarisë së bashkive, komunave, institucioneve vendore dhe organizatave jofitimprurëse në mbështetje të nismës kombëtare “Ta pastrojmë Shqipërinë në një ditë”. Sipas një komunikate për shtyp të kabinetit të prefektit, në takimin e drejtuar nga prefekti Xhelilaj, në mesditën e 18 nëntorit 2013 [“Dyrrah”-u nuk është njoftuar për të qenë i pranishëm në mbledhje, kurse gazetarët e tjerë u njoftuan 20-15 minuta para fillimit të takimit!] morën pjesë drejtuesit e shërbimeve në bashkitë dhe komunat e qarkut, (të cilët do të jenë koordinatorët vendorë të veprimtarisë), përfaqësues nga Këshilli i Qarkut, Drejtoria Rajonale e Arsimit, Agjencia Rajonale e Mjedisit, Forcat Detare, dhe disa organizata OJF. Sipas vartësve të tij, prefekti Xhelilaj kërkoi nga koordinatorët e njësive vendore fillimin e procesit të evadimit të mbeturinave nga zonat përkatëse dhe sigurimin e të gjitha mjeteve logjistike (mjete pune, thasë plastikë, doreza, karburant, etj). Njësitë e qeverisjes vendore do të hartojnë brenda 24 orëve planet e pastrimit, të cilat do të koordinohen nga institucioni i Prefektit.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





