16 nëntor 2013- Pas një jave ankthi dhe tensioni, kryeministri Edi Rama e ka përcjell me nervozizëm tërheqjen e tij të imponuar nga operacioni për shkatërrimin e armëve kimike të Sirisë në Shqipëri. Herë me një duf histerizmi dhe herë me një ton mallëngjimi, kryeministri Edi Rama e ka përjetuar dramatikisht tërheqjen e tij nga armët kimike, tërheqje kjo e imponuar nga presioni në rritje i qytetarëve shqiptarë. Në fjalimin e tij epik, kryeministri i vendit identifikoi mediat si përgjegjëse për projektin “fisnik” të asgjësimit të armëve kimike, nga i cili shqiptarët do të dilnin të pastër dhe krenarë. Edi Rama mund t’i kishte kursyer disa akuza të padenja ndaj mediave, të cilat sipas tij paskërkan helmatisur mendjet e shqiptarëve me pabesi, paskërkan dekonspiruar planet e qeverisë për çarmatosjen e Asadit.

Në ndarjen e dhimbshme me helmet e Asadit, Edi Rama mund të tregohej më elegant dhe i arsyeshëm me mediat, të cilat fitojnë çdo betejë jo vetëm me qeveritë me demokraci laramane, por edhe me dinastitë e fundit në planet. Në një kohë kur të gjitha mediat ndërkombëtare i binin kambanave për ardhjen e helmit të Asadit në Shqipëri, sipas kryeministrit, mediat shqiptare duhet të strukeshin në terrin informativ të qeverisë. Janë të njëjtat media që kanë mbështetur apo kanë pasur një qasje dashamirëse ndaj reformave dhe aksioneve të para të qeverisë për të shkallmuar perandorinë e paligjshmërisë, korrupsionit dhe informalitetit të trashëguar nga Sali Berisha. Edi Rama i akuzoi për pazare dhe spekulime të njëjtat media që u bënë zëdhënëset e interesit qytetar, kur Sali Berisha i hapi rrugë mafies së plehrave.

Ndaj, Edi Rama mund ta kishte kursyer mllefin ndaj mediave.

http://www.sot.com.al/politike-opinione/edi-rama-ndarje-dramatike-nga-helmet-e-asadit-vrer-dhe-mallkime-ndaj-mediave