POGRADEC,8 nëntor 2013 – Ditë tragjike plot vdekje, zie, lotësh që mban kryefjalën miniera, ka qenë kjo enjtja e 7 nëntorit për zonat juglindore të vendit. 7 persona kanë gjetur vdekjen vetëm ditën e djeshme në minierat e Pogradecit dhe Librazhdit. Në Pogradec, ngjarja është shënuar orëve të mesnatës në një minierë të braktisur në fshatin Beragozhd, kurse në Librazhd, ngjarja ndodhi pasditen e djeshme kur një masiv kromi në minierën e Gurrës zuri nën vete 2 punonjës.

POGRADEC, 5 VIKTIMA 

Pesë të rinj nga një trung familjar kanë humbur jetën në një minierë në fshatin Beragozhd, komuna Dardhas në qytetin e Pogradecit. 

Viktimat janë tre vëllezërit Edison, Ledjon dhe Nertil Hamolli, përkatësisht 23, 24 dhe 28 vjeç. Gjithashtu, kanë humbur jetën edhe dy vëllezërit Sazan dhe Arjan Hamolli kushërinj me tre të parët. 
Të rinjtë ishin futur në minierë për të nxjerrë skrap. Dyshohet se shkak i vdekjes së të rinjve është bërë një gjenerator, me anë të të cilit vihej në punë një pompë që shërbente për nxjerrjen e ujit jashtë minierës. Tymi i gjeneratorit dyshohet t’i ketë asfiksuar të rinjtë. 
Policia dhe shtabi i emergjencave kanë mbërritur në vendngjarje ndërsa grupi i kërkim-shpëtimit ka mundur te nxjerre fillimisht nga galeria trupat e 2 prej të rinjve, Edisonit dhe Nertil Hamollit, 25 vjeç. Kërkimet u ndërprenë gjatë orëve të pasdites për shkak të pranisë së madhe të gazit në galeri, por rifilluan në orët e vona të mbrëmjes së djeshme, ndërsa në mëngjes u bë e mundur edhe nxjerrja e 3 trupave të tjerë, të Sazan, Arjan dhe Ledjon Hamollit. 
Nxjerrja e trupave u vështirësua së tepërmi, jo vetëm për shkak të thellësisë së minierës, por për shkak të pranisë së madhe të gazit në gjatësinë e saj prej më shumës e 300 metrash. 
POGRADEC, GJENDEN TRUPAT E PAJETË TË 3 TË RINJVE 
Grupet e kërkim-shpëtimit kanë mundur të nxjerrin nga miniera e Beragozhdit trupat e pajetë të 3 djemve të tjerë të cilët humbën jetën të asfiksuar në galeri, teksa përpiqeshin të nxirrnin skrap. Në orët e para të mëngjesit, janë nxjerrë trupat e 2 vëllezërve Sazan dhe Arjan Hamolli dhe trupi i kushëririt të tyre Ledjon Hamolli. Trupat e pajetë u transportuan fillimisht në morgun e Pogradecit, dhe në përfundim të procedurave të nevojshme ligjore do tu dorëzohen familjarëve të tyre, të cilët vuajnë një tragjedi të vërtetë, me 5 arkivole të rinjsh në të njëjtin fis. 

BABAI I 2 DJEMVE TË VDEKUR: SHKUAN NË GALERITË E VDEKJES PËR KAFSHATËN E BUKËS Mbrëmja të “pret” shpirtin në fshatin Beragozhdë. Heshtja, më e keqe se vetë vdekja. Të gjithë dyert e shtëpive janë të hapura, të gjitha në mort. Banorët kanë dalë në rrugë, nuk guxojnë të hyjnë brenda. Ata shpresojnë që ndonjëri prej pesë djemve të jetë ende gjallë. Në galeritë e vdekjes takojmë Xhevit Hamollin, babain e Ardjanit dhe të Sazanit. 65-vjeçari mezi mbahet në këmbë. Lotët i derdhen çurg faqeve. Herë-herë ulet se nuk e mbajnë gjunjët. I shoqëruar nga vajza dhe djali tjetër i tij, enden përqark minierës me shpresën se mrekullia do të ndodhë, ndonëse është i vetëdijshëm për kobin që i ka zënë derën. “Më mirë të kisha vdekur dhe të mos përjetoja këtë që po ndodh. Nuk e dija se djemtë do të hynin në minierë, pasi nuk do t’i lija”, thotë Xheviti. Në një intervistë për “Gazeta Shqiptare”, 65-vjeçari shprehet se dy djemtë e tij shkuan drejt vdekjes për copën e bukës. Si gjithë banorët e fshatit, ai kërkon të mbyllen minierat që po shkaktojnë tragjedi. 

MEI JAP DETAJE MBI OPERACIONIN PER NXJERRJEN E TRUPAVEMinistria e Energjisë dhe Industrisë ka dhënë detaje lidhur me aksionin për nxjerrjen e trupave të pa jetë që janë bllokuar në dy miniera në atë fshatit Gurrë në Librazhd dhe në Dardhas të Pogradecit. Kjo ministri bën me dije se janë nxjerrë nga miniera dy viktimat e Librazhdit dhe dy nga viktimat që humbën jetën në minierën e braktisur në Dardhas. MEI bën me dije se do të vazhdojë operacioni për të nxjerrë nga miniera edhe tre trupat e tjerë, por për momentin aksioni është ndërprerë për shkak të nivelit të lartë të gazit. MEI thekson se aksioni do të rifillojë sapo niveli i gazit të ulet, ndërkohë që bëhet me dije se po futet edhe ajër nga jashtë për të ulur rrezikshmërinë.

 

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/varferia-vret-7-vete-ne-miniera-nxirren-nga-galeria-trupat-e-5-kusherinjve-157544.html