TIRANE, 7 nëntor 2013 – Ditën e djeshme deputetët që kishin parkuar gabim tek Kryesia e Kuvendit, gjatë mbledhjes së Konferencës së Kryetarëve, janë ndëshkuar me gjoba për kundravajtje. Parkimi i makinave përballë Kuvendit të Shqipërisë në shkelje të ligjit, në shumë raste edhe mbi trotuar, përgjatë seancave parlamentare, ka qenë gjithnjë një ngërç për qarkullimin rrugor në segmentin që lidh rrugën e Elbasanit me zonën e 9-katësheve e më tej me qendrën e kryeqytetit . Gjatë zhvillimit të seancës plenare të Kuvendit, rruga ‘Xhorxh Bush’, përballë parlamentit bëhet pothuajse e pakalueshme, për shkak të parkimit të gabuar të mjeteve të deputetëve. 

Ministria e Punëve të Brendshme ka paralajmëruar sot se do të ndëshkohen me gjoba nga policia, të gjithë deputetët që parkojnë automjetet në mënyrë të gabuar para Parlamentit të Shqipërisë. Pak orë para nisjes së seancës plenare, Ministria ka njoftuar se gjatë seancës asnjë automjet nuk do të lejohet të parkohet në trotuar. “Deputetet që shkelin kodin rrugor do gjobiten. ” – bëri të ditur Ministria e Brendshme.