7 nëntor 2013- Përfaqësuesi i Aleancës Kundër Importit të Plehrave, Blendi Kajsiu, deklaroi se qeveria, me vendimin për të lejuar importin e armëve kimike nga Siria, po bie në kontradiktë me vendimet e saj. Kajsiu theksoi për “Panoramën” se qeveria socialiste ndaloi me ardhjen në pushtet plehrat jo të rrezikshme me ligj, ndërsa tani kërkon të sjellë ato toksike dhe vdekjeprurëse.
“Pranimi i armëve kimike bie në kontradiktë me vetë politikën e qeverisë që sapo ndaloi importimin e çdo mbetjeje të parrezikshme. Pra, në qoftë se Shqipëria ndaloi importin e mbetjeve të parrezikshme, imagjino çfarë duhet të thoshim për mbetjet apo plehrat vdekjeprurëse që janë toksiket”, theksoi Kajsiu. Ai shtoi më tej se vende të rëndësishme kanë refuzuar të marrin pjesë në procesin e shkatërrimit të armëve kimike siriane dhe se Shqipëria nuk ka kapacitete njerëzore dhe infrastrukturë për një proces kaq të rrezikshëm. “Në qoftë se vende si Belgjika apo Norvegjia i kanë refuzuar këto mbetje për shkak të rrezikut të lartë, nuk e kuptojmë nga del Shqipëria më ‘katolike se Papa’ dhe më e aftë se këto vende për të marrë një risk të tillë?!”, u shpreh përfaqësuesi i AKIP. Vendimi i Qeverisë, sipas Kajsiut, do të merret brenda 10 ditëve dhe se AKIP shpreson që qeveria “Rama” ta refuzojë këtë kërkesë të SHBA-ve. “Nga informacioni që ne kemi, vendimi i qeverisë do të merret këto 8 deri 10 ditë. Kaq kohë ka qeveria dhe ne shpresojmë që t’i thonë ‘Jo’, për të qenë koherente me vetveten edhe për të shpëtuar shqiptarët. Nuk mund të vijnë në portet tona dhe të transportojnë nëpërmjet hapësirave tona. Është skandal i madh”, tha ai. Përfaqësuesit e shoqërisë civile do të realizojnë protesta dhe peticione kundër këtij vendimi, por nuk përjashtohet dhe si mundësi e fundit kërkesa për referendum. “Referendumi është hapi i fundit, do të bëjmë protesta dhe do të dalim në konferenca për shtyp. Ne jemi në proces për shpalljen e një peticioni ku do të ftojmë figurat publike, që t’ia drejtojmë qeverisë shqiptare kundër importit të mbetjeve kimike, këto janë plehra vdekjeprurëse. Na kanë lënë me gojë hapur”, u shpreh Blendi Kajsiu.
Ndryshimet ne ligj
Në ligjin nr.10463, datë 22.9.2011, “Për menaxhimin e integruar të mbetjeve”, të ndryshuar, bëhen këto ndryshime:
Neni 1
Në pikën 3, të nenit 22, fjala “… kufizon …” shfuqizohet.
Neni 2
Në nenin 48, “Ndalimi i importeve dhe kalimeve tranzit të mbetjeve”, bëhen ndryshimet e mëposhtme:
a) Pika 1 formulohet, si më poshtë vijon:
“1. Ndalohet në të gjitha rastet importimi i mbetjeve të rrezikshme dhe jo të rrezikshme në Republikën e Shqipërisë.”.
b) Pika 3 shfuqizohet.
Neni 3
Neni 49, “Importi i mbetjeve jo të rrezikshme”, shfuqizohet.





