Tiranë, 6 nëntor 2013 – Gjykata Kushtetuese pritet të shqyrtojë më 26 nëntor, në orën 10:00, ankesën e Partisë Demokratike për shpalljen si të papajtueshëm me ligjin të aktit normativ për shtyrjen e ligjit “Për nëpunësin Civil”. Lajmi u bë i ditur nga Gjykata Kushtetuese në faqen e saj zyrtare, ku publikoi listën e çështjeve të planifikuara për gjykim.
Sipas Kushtetueses, kërkues janë “një e pesta e deputetëve të shqipërisë (Anëtarë të Grupit Parlamentar të Partisë Demokratike, Partisë Republikane, Partisë për Drejtësi, Integrim dhe Unitet)” dhe subjekte të interesuara janë Këshilli i Ministrave dhe Kuvendi. Ndërkohë që objekti është “Shpallja si i papajtueshëm me Kushtetutën i aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 “Për nëpunësin civil””. Pezullimi i aktit normativ nr.5, datë 30.09.2013 të Këshillit të Ministrave “Për disa ndryshime në ligjin nr.152/2013 “Për nëpunësin civil””.





