DURRËS, 6 nëntor 2013- Mbi 17 milion lekë është borxhi që institucionet vendore, kompani private dhe lavazhe i detyrohen Ujësjellës Kanalizimeve Durrës, ndërkohë që humbjet në rrjet si pasojë e ndërhyrjeve të paligjshme deklarohet të jenë mbi 80 përqind. Konstatimi vjen pas ndryshimeve të reja në krye të shoqërisë së Ujësjellës Kanalizime Durrës dhe kjo është shoqëruar menjëherë me një aksion të gjerë që synon të ndëshkojë përfituesit abuzivë të ujit, debitorët, si dhe të përmirësojë furnizimin me ujë të pijshëm për popullatën. Tridhjetë institucioneve debitore në Durrës u është ndërprerë furnizimi me ujë të pijshëm, ndërsa ka nisur edhe aksion për heqjen e lidhjeve të paligjshme në rrjetin kryesor të ujësjellësit. Për herë të parë në 20 vitet e fundit Ujësjellës Kanalizime SH.A Durrës ka nisur një aksion të posaçëm për ndërprerjen e të gjitha lidhjeve të paligjshme të ujit në fshatrat ku kalon tubi kryesor i ujësjellësit. Si rezultat i këtij aksioni është bllokuar furnizimi me ujë për të gjithë subjektet të cilët furnizohen me ujë në mënyrë të kundraligjshme, abuzim ky që i ka shkaktuar Shoqërisë mbi 80 % humbje në rrjet. Zëdhënësja e UKD-së, Noela Yzeiri bëri të ditur se Inspektoriati i Ujësjellësit të Durrësit ka ndërprerë furnizmin me ujë edhe për rreth 30 institucione vendore, kompani private, dhe lavazhe të cilët nuk kanë shlyer detyrimin për pagesën e faturave pranë UKD-së. Debitë e institucioneve vendore ndaj Ujësjellësit arrijnë në vlerën e 17. 149.218 lekësh të rinj. Sipas drejtorit të ri të Ujësjellësit të Durrësit Spartak Kovaçi, fshehja e këtyre të dhënave deri tani ka dëmtuar ndjeshëm furnizimin me ujë në qytetin e Durrësit. Kovaçi thotë se ky abuzim është një plagë e rëndë që i është shkaktuar institucionit të Ujësjellësit: “Institucionet vendore, kompanitë private dhe lavazhet në bashkëpunim me eksponentë të Ujësjellës Kanalizime janë përgjegjësit kryesorë për këtë çështje”. Ai paralajmëron se së shpejti për shkelësit e ligjit dhe për bashkëpunëtorët e tyre brenda institucionit do të merren masa drastike deri në ndjekje penale, ndërsa politika e re e institucionit do të jetë sigurimi i një shërbimi sa më cilësor për komunitetin.
/v.q. agjencia e lajmeve "Dyrrah"/





