LONDËR, 6 nëntor 2013 – Asgjësimi i armëve kimike të Sirisë mund të realizohet shpejt dhe sigurt me ndihmën e një impianti të ri të lëvizshëm të SHBA-së shkruan në “New Scientist” Debora MacKenzie, analiste e BBC-së. Sipas “Reuters”-it, Pentagoni po rekomandon përdorimin në Siri të njësisë së lëvizshme për shkatërrimin e arsenalit kimik.
Është shumë e rrezikshme të lëvizen apo trajtohen mbetjet kimike, prandaj është më e lehtë t’i asgjësosh aty ku janë. Kështu veproi OKB-ja në Irak, pranë depos të mbetjeve kimike në Muthanna, ku pas luftës së parë të Gjirit në vitin 1991, ndërtoi një incinerator të posaçëm, së bashku me një uzinë kimike për asgjësimin e gazit nervor sarin. Një projekt i ngjashëm do të ishte i pamundur në Sirinë e shkatërruar nga lufta, ku mendohet se ka me qindra tonë gaz iprit dhe sarinë. Prandaj zgjidhja më e mirë do të ishte një uzinë e vogël, e lëvizshme për shkatërrimin e mbetjeve. Në shkurt, Agjencia e Pakësimit të Sulmeve ndaj Vendit, SHBA, i kërkoi Qendrës Kimike Biologjike “Edgewood” të projektojë një uzinë të tillë. Pasi punuan pa pushim, në qershor qendra realizoi “sistemin portativ me hidrolizë”, i pari në llojin e vet. Sipas përfaqësuesit të qendrës do të prodhohen impiante të tjera të tilla, thotë MacKenzie. Uzina përzien bashkë sarinën ose ipritin me ujin, sodën kaustike dhe klorin brenda një depozite titani prej 8000 litrash. Përzierja nxehet deri afër temperaturës së zierjes së ujit, çka nxit hidrolizën e përzierje-shpërbërje të molekulave të mëdha gjatë reaksionit me ujin. SHBA ka praktikuar metodën e hidrolizës përpara nënshkrimit të konventës mbi armët kimike të 1997, me qëllim shkatërrimin e armëve të veta kimike. Por deri më sot kjo teknologji është përdorur vetëm në uzina të palëvizshme në SHBA dhe Irak. Shkencëtarët e qendrës “Edgewood” kanë arritur të zvogëlojnë përmasat e pajisjeve aq sa këto të mund të paketohen brenda pak kontejnerëve detarë, thotë MacKenzie. I gjithë impianti mund të ngrihet dhe vihet në punë brenda 10 ditëve. Ai përfshin një laborator të gjithanshëm i cili identifikon mbetjet kimike dhe ka kohë të shpejtë procesimi. Laboratori ka pajisje rezervë, si gjeneratorë p.sh, për të pakësuar nevojën e riparimeve të ndërlikuara në vendin e asgjësimit. Njësia ka dhe pajisje dekontaminimi për ajrin dalës dhe për stafin nëse veshjet e tyre mbrojtëse ndoten aksidentalisht. Impianti është ndërtuar për të trajtuar mbetje të pastra, dhe jo raketa të mbushura me to, të cilat janë shumë më të vështira për tu trajtuar. Në 3 orë ai mund të asgjësojë 99.9 për qind të mbetjeve toksike në sasi sa kapaciteti i vet, kurse në një ditë mund të asgjësojë 5-25 tonë mbetje kimike, në varësi të llojit të mbetjes. Impianti nxjerr sasi të mëdha mbetjesh të lëngshme-deri 14 herë më shumë se të mbetjeve kimike që asgjësohen-dhe këto lëngje duhet të trajtohen në impiantet komerciale të trajtimit të mbetjeve të rrezikshme. Megjithatë, përdorimi i impiantit në Siri do të ishte i ndërlikuar. Siria fillimisht duhet të deklarojë mbetjet kimike dhe ti grumbullojë në vendgrumbullime të posaçme. Pas kësaj mund të fillojë asgjësimi, i verifikuar nga ekspertët e Organizatës për Ndalimin e Armëve Kimike në Hagë. Për mbrojtjen e mbetjeve kimike dhe të ekspertëve mund të nevojiten trupa ndërkombëtarë.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





