TIRANE, 1 nëntor 2013 – Shefi i Shtabit të Përgjithshëm i Forcave të Armatosura Xhemal Gjunkshi, ka dhënë sot dorëheqjen nga posti që mban që prej vitit 2011.
Në kërkesën drejtuar presidentit Nishani, si Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Gjunkshi nuk paraqet arsyet e dorëheqjes së tij nga detyra, por ai vlerëson arritjet e FA-së në misionet paqeruajtëse në kuadër të NATO-s në Irak, Afganistan, Kosovë, etj.
Gjunkshi ka shprehur mirënjohjen për të gjithë bashkëpunëtorët e tij për profesionalizmin dhe gatishmërinë e treguar gjatë ushtrimit të detyrës.
Gjeneral Brigade Xhemal Gjunkshi ka marrë zyrtarisht detyrën e shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë në 8 gusht të vitit 2011.
Ai zëvendësoi Gjeneral Brigade Maksim Malaj, të cilit i kishte mbaruar mandati.
Kërkesa e plotë e dorëheqjes së Gjunkshit.
“I nderuar Zoti President i Republikës dhe Komandant i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura,
Duke shprehur konsideratën më të lartë për Ju, më lejoni që mbështetur në nenin 7, pika 5 dhe nenin 30, pika 3, shkronja “b” të ligjit Nr. 8671, datë 26.10.2000 “Për pushtetet dhe autoritetet e komandimit e të drejtimit strategjik të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë”, i ndryshuar, të paraqes para Jush dorëheqjen nga detyra e Shefit të Shtabit të Përgjithshëm të Forcave të Armatosura të Republikës së Shqipërisë.
Kam pasur nderin dhe privilegjin të kryej këtë detyrë të rëndësishme që nga data 8 gusht 2011. Ka qenë një nga periudhat më aktive të shërbimit tim në krye të burrave dhe grave nën uniformë si dhe punonjësve civilë në Forcat e Armatosura, periudhë për të cilën ndjehem krenarë për arritjet e Forcave tona të Armatosura, të cilat kanë konsoliduar edhe më tej opinionin pozitiv për dinjitetin, profesionalizmin dhe angazhimin e FA në shërbim të mbrojtjes së vendit dhe të Aleancës së Atlantikut të Veriut.
Në tërësinë e zhvillimeve të mëdha dhe të arritjeve gjatë kësaj periudhe do të dëshiroj të theksoj kryerjen me sukses, profesionalizëm dhe dinjitet të misioneve të paqes në kuadër të NATO-s në Irak, Afganistan, Kosovë dhe në shtabet ndërkombëtare, asgjësimin e plotë dhe pa ngjarje të jashtëzakonshme të mijëra ton municionesh të cilat përbënin një rrezik serioz për popullsinë civile, ndihmën e pakursyer duke bërë të pamundurën të mundur në ndihmë të popullsisë civile të prekur nga fatkeqësitë natyrore të përmbytjeve, bllokimit nga dëbora apo zjarreve, modernizimin e mëtejshëm të Forcave të Armatosura, kryerjen me sukses të veprimtarive me rastin e 100 vjetorit të pavarësisë së shtetit modern shqiptar dhe të krijimit të Forcave tona të Armatosura dhe si më të veçantin, certifikimin e plotë të integrimit në NATO.
Dëshiroj të shpreh me këtë rast mirënjohjen më të thellë për Ju dhe presidentin para jush për besimin e mbështetjen e pakursyer, Ministrat e Mbrojtjes me të cilët pata rastin e mirë të punoja, gjeneralët, dhe të gjithë ushtarakët oficerë, nënoficerë, ushtarë dhe punonjësit civilë në Forcat e Armatosura për punën e shkëlqyer, profesionalizmin, gatishmërinë, disiplinën dhe shpirtin e sakrificës në kryerjen e misionit kushtetues në shërbim të mbrojtjes së vendit, në ndihmë të komunitetit si dhe të paqes dhe sigurisë në botë, duke ngritur lart dinjitetin e ushtrisë dhe shtetit shqiptar.
Një falënderim të ngrohtë drejtoj gjithashtu për homologët e mi të vendeve të tjera të Aleancës, për atashetë ushtarakë të vendeve mike e partnere të akredituar në vendin tonë, për të gjithë përfaqësuesit e tjerë ushtarakë dhe civilë të këtyre vendeve, me të cilët kam pasur privilegjin dhe mundësinë të bashkëpunoj në të mirë të Forcave tona të Armatosura”.





