TIRANE, 31 tetor 2013 – Prokuroria e Krimeve të Rënda ka çuar dosjen e parë në Gjykatën e Krimeve të Rënda të vrasjes në familje atë të Ersnik Gjoshi, pas ndryshimeve të fundit në kodin penal ku hetimi dhe gjykimi i këtyre veprave do të jetë kompetencë e Krimeve të Rënda. Gjoshi akuzohet nga Prokuroria për vrasje për shkak të marrëdhënieve familjare.
Ngjarja e rëndë u shënua në Hekal të Tiranës në 21 korrik të këtij viti ku 27 vjeçari qëlloi me thikë në zemër mbi të fejuarën e tij, Anxhela Hado vetëm 17 vjeç. Gjatë marrjes në pyetje 27-vjeçari ka shprehur pendesë për krimin, por është shprehur se e ka qëlluar e fejuara më përpara dhe ai për tu mbrojtur i ka marrë thikën dhe e ka qëlluar tre herë, ku njera prej goditjeve ka qënë fatale duke i prekur zemrën.
Ndërkaq Prokuroria e Tiranës ka përfunduar hetimet për një tjetër vrasje që mori vemendjen e opinionit publik ndodhur në Tiranë 9 shtatorin e këtij viti, ku mbeti e vdekur gabimisht Majlinda Hoxha. Akuza ka përfunduar hetimin për nënoficerin e “Shkollës së Bashkuar” Ndriçim Balla, i cili për një borxh prej 25 mijë lekësh të reja plagosi Elton Fushën objektivin e atentatit të tij dhe la të vdekur 32-vjeçare gabimisht, pasi ishte ulur në të njëjtën tavolinë me Fushën.
Ushtaraku pranon se vëllai i tij kishte një konflikt me shtetasin Elton Fusha, por ai nuk ka lidhje me vrasjen. “Mbrëmjen e 9 shtatorit unë kam qenë në banesën time, së bashku me bashkëshorten”, mesohet të jetë shprehur 33-vjeçari. Për të dyja këto dosje pritet shumë shpejt që të fillojë shqyrtimi gjyqsor, si nga Gjykata e Krimeve të Rënda dhe ajo Tiranës.





