TIRANE, 31 tetor 2013  Partia Demokratike akuzon kryeministrin Rama për emërimin e personave të afërt me ministrat e qeverisë së tij, në poste të rëndësishme të administratës së shtetit. Në një deklaratë për mediat, përfaqësuesja e PD-së Silvi Bardhi deklaroi se “drejtoria e doganave të Tiranës është bërë drejtoria e kunatave të Tiranës”. 

“Rrjeti nepotik i qeveritarëve po shtrihet çdo ditë e më shumë. Po ju japim sot disa fakte për fatin e lumtur të kunatave dhe familjareve të ministrave të Edi Ramës. Në doganën e Tiranës, është emëruar së fundmi Eranda Cuci, kunata e Ilir Beqës, Ministër i Shëndetësisë. Në doganën e Tiranës është emëruar Safo Dauti, kunata e Ilirian Celibashit, Ministër i Marrëdhënieve me Parlamentin. Në doganën e Tiranës është emëruar së fundmi Adriana Hila, motra e Dritan Hilës, zëvendësministër i Mbrojtjes. Pra drejtoria e doganave të Tiranës është bërë drejtoria e kunatave të Tiranës.”- deklaroi Bardhi. 

“Nuk presim që Rama e të tijtë të skuqen nga turpi, meqë kanë deklaruar publikisht se nuk ka nepotizëm në administratë, por po informojmë opinionin publik, për mënyrën e menaxhimit, për emërimet dhe për meritokracinë e kësaj qeveria. Njoftohen kunatat e tjera të qeverisë, të mos rrinë duarkryq, por të lëvizin se vendet po zihen.”- përfundoi Bardhi.