ANKARA, 31 tetor 2013  Pas afrimit të qëndrimit në vijim të takimeve midis krerëve, Greqia dhe Turqia kanë mosmarrëveshje lidhur me një propozim nga kryeministri turk Rexhep Tajip Erdogan për të rihapur seminarin ortodoks “Halki”, në qoftë se Greqia rihap dy xhami në Athinë dhe lejon myslimanët të zgjedhin myftitë e tyre, njofton portal disagjuhësh “Southeast European Times”. Erdogani dhe kryeministri i Greqisë Antonis Samaras patën marrëdhënie të përzemërta dhe arritën marrëveshje për një numër çështjesh të debatueshme, por feja dhe armiqësitë e vjetra po provohen më të vështira për t’u mposhtur. Të dy kanë thënë se ata duan t’i kapërcejnë vështirësitë bezdisëse, që janë shfaqur dhe që lidhen me çështje fetare. Greqia kundërshtoi shkëmbimin “seminar për xhami”, edhe pse Samaras-i është udhëheqësi i parë grek që shtyn përpara një rinovim të planifikuar të një godine në Athinë për xhaminë e parë zyrtare të vendit dhe ka mbështetur lirinë fetare. Por seminari i Halkit, që u mbyll në 1971 pasi Turqia u grind me Greqinë lidhur me Qipron, ka një rëndësi të posaçme për grekët, që akuzojnë Turqinë për tërheqje nga disa aluzione që ai do të rihapej. Përveç hapjes së dy xhamive, Erdogan këmbënguli në zgjedhjen e myftive në Trakën perëndimore, ku jetojnë më shumë se 150.000 myslimanë turq. “Kur ne vendosim të kthejmë diçka, ne gjithashtu kemi një të drejtë të presim diçka”, tha Erdogani. Ai tha gjithashtu se Turqia ka dhënë shtetësinë për 18 klerikë, por emërimi i hoxhallarëve në Trakën Perëndimore është bërë nga autoritetet greke. “Ashtu siç unë nuk emëroj administratën e Patriarkanës, ju [grekët] nuk mund të emëroni hoxhallarët”, i bëri të qartë Athinës kryeministri turk.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/