Meshkujt gjermanë janë të interesuar jo vetëm për seks, makina dhe sport, por edhe për barazinë gjinore, familjen dhe fëmijët. Por: “Ne gratë e dimë sigurisht shumë më mirë se çfarë duan burrat”
Radioja e njohur gjermane “Dojçe Vele” (Deutsche Welle) njofton se në këtë vend ka dalë në qarkullim një revistë e re on-line vetëm për meshkuj “Centurio”.
Jo erotikë, makina dhe sport
Ndryshe nga revistat amerikane “Playboy”, “Matador” dhe “FHM” që nuk kanë më sukses në tregun gjerman, gazetaret e “Centurio-t” nuk trajtojnë tema erotike apo që lidhen me makinat dhe sportin. Kjo sepse meshkujt gjermanë janë gjithashtu të interesuar edhe për marrëdhënie afatgjata, barazinë gjinore, për familjen dhe fëmijët.Nga nëntori revista e re për meshkujt gjendet në faqen e internetit “centuiro-mag.de”. Gjithsesi, fare pa erotikë, me sa duket, as kjo revistë nuk ia del, sepse që në faqen e parë lexuesit i përshëndet një femër e bukur. Ndryshe pra nga revista feministe “Emma”, ku nuk ka fotografi meshkujsh të pashëm.
Shtëpi botuese virtuale
Revistën “Centurio” e kanë ideuar studentet dhe studentët e Akademisë private të Berlinit për Media, Komunikimi dhe Biznes (HMKW). Ideja u lindi gjatë një seminari për gazetarinë on-line. Kur u ndanë detyrat në fazën e planifikimit, doli se si autore donin të punonin vetëm gratë. “Ne gratë e dimë sigurisht shumë më mirë se çfarë duan burrat”, thotë duke buzëqeshur Nadine Mittag. Në sektorët e tjerë punojnë edhe meshkuj. Gazetarët e rinj janë organizuar si një shtëpi botuese tradicionale me fusha të specializuara – nga marketingu deri tek dizajni dhe faqja e internetit. Struktura e revistës online është e re dhe në orë të ndryshme të ditës ofrohen tema të ndryshme, p.sh. paradite tema që lidhen me zyrën dhe me punën, kurse në darkë që lidhen me të brendshmet dhe veprimtari të tjera në dhomën e gjumit. Revista mund të lexohet si me smartphone edhe me tablet, sepse formatimi është i tillë që përshtatet për të dyja, sqaron Roman Tegeler, i cili ka bërë dizajnimin e faqes. Po ashtu përdoruesit nuk i duhet ndonjë app i posaçëm.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





