31 tetor 2013 – Kunguj të mëdhenj bosh, por të ndriçuar nga brenda, skeletë të çuditshëm, figura hije, kostume të shumëllojta. Ky është Halloween, një festë e përhapur vitet e fundit edhe në Shqipëri sipas të gjitha gjasave në sajë të rëndësisë që i ka dhënë më së shumti kinemaja dhe televizioni.
Janë të shumtë lokalet në Tiranë e Durrës, që janë duke u bërë gati për natën e kësaj feste, 31 tetorin, ndërkohë që shumë dyqane prej ditësh kanë nisur të tregtojnë veshje tipike të saj.
Aspak e njohur si festë nga shumica e shqiptarëve, kjo ditë tradicionale u përhap më së shumti pas kapërcimit të viteve '90-të. Fillimisht u kremtua pak a shumë në mënyrë snobe e më pas më konkrete me njohjen e saj.
E lokalizuar më shumë në Tiranë, Halloween-i , kjo festë e eksportuar në Shqipëri dhe pa traditë, gjithsesi gëzohet më së shumti nga të rinjtë, ndërkohë që ende nuk duket të jetë përhapur praktika e zbukurimit me elementë dhe simbole të kësaj feste i shtëpive, oborreve apo rrugëve.
Në fakt gjithçka është një pretekst për t’u argëtuar apo edhe të jesh dikush tjetër, qoftë edhe për një natë, atë të 31 tetorit. Është një motiv më shumë për t’u argëtuar me miqtë e tu. Një arsye për të festuar.
Dhe këtë të ofron Halloween, festa e terrorit, e shtrigave, fantazmave, monstrave, të cilët në këtë natë fitojnë protagonizmin. Por gjithashtu është dhe një festë që çdo vit festohet në të gjithë botën .
Emri i Halloween është deformimi amerikan i termit në anglisht të Irlandës, "All Hollows' Eve": Kjo festë tepër e lashtë mbërriti në SHBA, së bashku me emigrantët irlandezë dhe hodhi rrënjë për të vuajtur tani një transformim radikal.
Por mbas Halloween janë festat e lashta dhe të shenjta të perëndimit: festë që i ka kaluar shekujt me zakone që koha ia ka ruajtur kuptimin. Festa i përket paganizmit tek keltët. E më pas 1 nëntori ishte dita kur shpirtërat kërkonin trupa për t'u mishëruar në ta.





