30.tetor 2013 – Publikohet udhëzimi për plotësimin e formularit A3, shansi i fundit për të gjithë ata të rinj që duan të nisin një shkollë të lartë. Janë më shumë së 5000 kuota, të cilat kanë mbetur bosh, pas regjistrimeve në fazën e parë. Në formularin A3 përcaktohen kriteret dhe afatet për aplikimin on-line. Maturantët që nuk janë shpallur fitues në asnjë degë dhe mbetësit në një nga provimet e Maturës Shtetërore, do të shfrytëzojnë kuotat e mbetura bosh nga faza e parë. Kandidatët do të kenë në dispozicion vetëm dy ditë afat për të plotësuar formularin, nga data 4 nëntor deri në 6 nëntor. Sipas udhëzimit, Agjencia Kombëtare e Provimeve do të shpallë listën e fituesve më datë 12 nëntor, të ndarë sipas programeve përkatëse të studimit, në përputhje me kuotat e rishpërnadara nga Ministria e Arsimit dhe Sportit.
KANË TË DREJTË
Në raundin e dytë të pranimeve për një nga 14 institucionet e arsimit publik në vend kanë të drejtë të konkurrojnë maturantët apo kandidatët që nuk kanë konkurruar më parë në formularin A2. Në këtë kategori përfshihen kandidatët që kanë rezultuar kalues në provimet e Maturës Shtetërore, sesioni i parë, por nuk kanë plotësuar formularin A2, maturantët që kanë rezultuar kalues në provimet e maturës, sesioni i vjeshtës, si edhe ata që kanë përfunduar arsimin e mesëm jashtë vendit, por që kanë fituar të drejtën të aplikojnë për vazhdimin e studimeve universitare. E drejta për garim u lind edhe maturantët që kanë konkurruar në raundin e parë me formularin A2 (fitues ose jo dhe të regjistruar ose jo) dhe dëshirojnë të vazhdojnë garën për të qenë fitues, ose për të kaluar në një prefrencë më lartë, duke ruajtur rënditjen e preferencave të formularit A2 të plotësuar në raundin e parë. “Këta maturantë nuk plotësojnë formular të ri, por vetëm shprehin vullnetin për të vazhduar konkurrimin”, -thuhet më tej në udhëzim. Nëse maturanti që është shpallur fitues në raundin e parë nuk arrin të klasifikohet në një preferencë më të lartë mbetet fitues në pogramin ku është regjistruar.
TE PERJASHTUAR
Konkurrimi në raundin e dytë nxjerr jashtë loje maturantët që kanë rezultuar fitues në preferencën e parë të shprehur në formularin A2 dhe kanë kryer procesin e regjistrimit në atë program studimi. Të përjashtuar nga gara janë edhe kandidatët fitues të raundit të parë, të cilët kanë konfirmuar regjistrimin përfundimtar në preferencën e shpallur dhe janë regjistruar, duke vulosur zgjedhjen e bërë.





