Me ftesë të ministres së Jashtme austriake, Beate Meinl-Reisinger, ministri Ferit Hoxha mori pjesë në Forumin Evropian Alpbach në Austri, ku iu bashkua panelit të diskutimit “Aftësia dhe Ripërtëritja: Mobilizimi i Fuqisë së Evropës për të Vepruar”.

Paneli u fokusua në mënyrat se si Evropa mund të forcojë aftësinë e saj, për të formësuar të ardhmen e saj në një botë që ndryshon me shpejtësi.

Gjatë diskutimit, Hoxha theksoi se për Shqipërinë si një vend i vendosur në rrugën e tij drejt anëtarësimit në BE, e tashmja dhe e ardhmja jonë janë thellësisht të ndërthurura me të ardhmen e vetë Evropës. Për këtë arsye sipas tij, sfidat e Evropës janë sfidat tona dhe vendimet e marra sot do të ndihmojnë në formësimin e Evropës së cilës aspirojmë t’i bashkohemi nesër.

“Shqipëria nuk po përgatitet vetëm për t’u bashkuar me BE-në. Ne tashmë po kontribuojmë në sigurinë dhe stabilitetin e Evropës përmes përputhjes sonë të palëkundur me Politikën e Jashtme dhe të Sigurisë së BE-së, duke përfshirë miratimin e sanksioneve të BE-së dhe pjesëmarrjen në misionet dhe operacionet e udhëhequra nga BE-ja; përmes rolit tonë aktiv brenda NATO-s; dhe përmes angazhimit tonë të vendosur ndaj vlerave, parimeve dhe përgjegjësive që mbështesin projektin Evropian. Ne jemi të gatshëm të marrim një rol edhe më të madh në adresimin e sfidave tona të përbashkëta”, tha Hoxha.

Ministri nënvizoi se ambicia e Shqipërisë nuk është thjesht të jetë gati për Evropën, por të jetë te dobishme për Evropën.

“Evropa të cilës kërkojmë t’i bashkohemi nuk duhet të jetë vetëm më e madhe. Duhet të jetë një Bashkim që është më i aftë të veprojë, më i shpejtë kur është e nevojshme, më i fortë kur sfidohet dhe më i bashkuar kur ka më shumë rëndësi. Kjo është arsyeja pse Shqipëria vlerëson të jetë pjesë e diskutimit evropian sot: sepse duam të ndihmojmë në formësimin e Evropës së nesërme”, deklaroi Ministri i Jashtëm.