Në Festën e Ullirit, bashkia dhe shoqata “Durrësi” vlerësojnë intelektualin e njohur, personalitet në transport, inxhinier Shpëtim Prodani (1950-2004), pas vdekjes; si dhe bashkëpresidentët e kompanisë së ndërtimit “Dibra AGZA”, Agim Islami dhe Zabit Muda, që në harkun e 20 vjetve kanë lënë vulën e tyre në ndërtimet cilësore

DURRËS, 29 tetor 2013 – Ishte një ceremoni prekëse në mbrëmjen e 28 tetorit në teatrin “Aleksandër Moisiu”, teksa bashkia e qytetit bregdetar dhe shoqata “Durrësi” u dhanë titullin “Nderi i Qytetit” tre personaliteteve që kanë lënë gjurmë në historinë moderne. Shoqata “Durrësi”, me reputacion dhe e drejtuar me aftësi, ka 16 vjet që organizon veprimtari në kuadrin e Festës së Ullirit. Por duhet të vihet në dukje edhe bashkëpunimi i saj me qeverisjen vendore, gjë që i jep seriozitet çdo nderimi. Kështu ndodhi dhe më 28 tetor 2013 në ceremoninë kushtuar intelektualit të njohur, personalitet në transport, inxhinier Shpëtim Prodani (1950-2004), pas vdekjes; si dhe bashkëpresidentëve të kompanisë së ndërtimit “Dibra AGZA”, Agim Islami dhe Zabit Muda, që në harkun e 20 vjetve kanë lënë vulën e tyre në ndërtimet cilësore. Nën drejtimin e sekretarit të palodhur të shoqatës z. Shpëtim Metani, u organzua një ceremoni vlerësimi e shoqëruar me këngë dhe humor me pjesëmarrje të figurave kombëtare të këngës dhe skenës. Ishin të pranishëm kryetari i Bashkisë së Durrësit Vangjush Dako, kryetari i shoqatës “Durrësi” Halil Myderrizi, të afërm të të dekoruarve, intelektualë, njerëz të thjeshtë dhe të respektuar. Moderatori dhe gazetari i njohur durrsak Bujar Qesja dhe telekronisti veteran dhe me reputacion kombëtar Astrit Tahiri, me ndihmën e fotografit dhe kameramanit Tristan Sherif, projektuan në ekran foto dhe intervista për të nderuarit, kurse aktorët e famshëm durrsakë Roland Koça dhe Muharrem Hoxha lexuan kartolinat kushtuar Prodanit, Islamit dhe Mudës, të krijuara nga Mjeshtri i Madh i Skenës, shkrimtari dhe regjisori Haxhi Rama.

Kryebashkiaku Vangjush Dako u ngjit në skenë për të dorëzuar certifikatat dhe medaljonet e rastit për tre “Nderi i Qytetit” mes emocioneve të mëdha dhe prekëse të të pranishmëve. Biznesmeni dhe botuesi i “Dyrrah”-ut Jonadri  Prodani, një nga fëmijët e inxhinierit të ndjerë, Shpëtimi, qoftë në kujtimet e tij para kamerës, si dhe në fjalën e shkurtër vuri në dukje vlerat e larta morale dhe profesionale të të atit dhe falënderoi për nderimin që i bëhej në Durrës. Po ashtu, biznesmenët dibranë Agim Islami dhe Zabit Muda kanë falënderuar jo vetëm autoritetet, por sidomos qytetarinë durrsake që i ka integruar në këta mbi 20 vjet që banojnë dhe punojnë në qytetin bregdetar.

SHPËTIM PRODANI (1950-2004)

Një nga personalitetet më të shquara të transportit shqiptar në nivel kombëtar dhe në veçanti në atë portual. Ndonëse në trysninë e luftës së klasave për shkak të dënimit të të atit, gjeneralit të shquar Muhamet Prodani, Shpëtimi dallohet për aftësitë drejtuese në ofiçinën e portit, takilazh, elektrovinça, byronë e projektimit deri në Institutin e atëhershëm të Studimeve dhe Projektimeve në Transport. Ka realizuar shumë projektete si autor dhe bashkautor për elektrovinçat stacionarë në port dhe hekurudhë; kalatave në bregdetin e jugut, silosëve të grurit, kontejnierëve shqiptarë etj. Do të duheshin faqe të tëra të tregohej puna dhe kontributi i Shpëtimit në port. Ishte figurë autoritare, prandaj edhe punëtorët dhe kuadrot e portit mirëpritën angazhimin e fuqishëm të Shpëtim Prodanit në lëvizjen demiokratike në vittet 1990-91. Në vitet 1991-1995 ka punuar si kryeinxhinier në parkun e eksportit. Një njeri me horizont, përvojë drejtuese të jashtëzakonshme, ishte e natyrshme të merrej me biznes në kushtet e krijuara pas vendosjes së sistemit demokratik të ekonomisë së tregut. Kështu ai, së bashku me një grup shokësh, krijoi “Dyrrahsped”-in, një nga kompanitë e para në transport dhe spedicion. Kjo nismë u konsolidua më tej me kontratat e shumta me kompani vendase dhe të huaja, që do të ishin një kapitull më vete. Shpëtimi ka një diapazon kontributesh (shoqëria e parë e sigurimeve SIGMA, Banka Popullore etj. si biznesmen ka kontribuar në problemet shoqërore të qytetit. Ishte anëtar i Dhomës Amerikane të Tregtisë, Dhomës së Tregtisë dhe Industrisë Durrës, Rotary Club Durrës etj. Shumë durrsakë e mbajnë mend dhe si basketbollist të ish-“Lokomotivës”, aktivist të gjallë, por edhe si një familjar model).

AGIM ISLAMI DHE ZABIT MUDA

Këta janë një “duet” i pandashëm, pasi rrallë ndesh raste të tilla ortakërie. Ata kanë trashëguar gjenin e ndërtuesit, pasi në shekuj është i njohur kontributi i dibranëve anekënd Shqipërisë, Ballkanit dhe ish-perandorisë osmane. 53-vjeçari Islami ka punuar si inxhiner zbatimi në ndërmarrjen e ndërtimit të Peskopisë për ndërtesat e gjykatës së rrethit, pallatit të sportit, fabrikave, banesave shumëkatëshe ku është vlerësuar së tepërmi. Në vitet 1989-1992 ishte përgjegjës i byrosë së studimeve dhe projektimeve të qytetit të Peshkopisë. Në vitin 1992 ka ardhur në Durrës së bashku me ortakun e tij Zabit Muda. Ky i fundit është vetëm tre vjet më i madh se Agimi. Zabiti ka filluar punë që në moshën 15 vjeç në hidrocentralin e Fierzës, ku ka mbaruar dhe shkollën e mesme për teknik ndërtimi dhe topograf. Në vitin 1978 është kthyer në Peshkopi në ndërmarrjen e ndërtimit. Deri në vitin 1992 Zabiti ka punuar si teknik zbatimi në fabrika, frogoriferë, pallat kulture. Nuk kishte aleancë më të mirë për dibranët punëtorë Agim Islami dhe Zabit Muda për krijimin e shoqërisë së ndërtimit “Dibra AGZA” shpk. Kjo firmë u dallua në ndërtimin e pallateve të ndërtimit, rezidencave turistike dhe objekte socialkulturore. Ata kanë punësuar deri 300 veta. Të dy vlerësojnë bashkëpunimin me autoritet vendore të Durrësit, por edhe flasin dhe respektin që kanë qytetarët për të ardhurit që bëhen shumë shpejt vendas. Këta durrsakë nga Dibra kanë vendosur kontakte me shoqatën “Durrësi”, duke sponsorizuar Festën e Ulllirit, Ekuinkosit Pranveror, Detit etj. Ata ndihen të vlerësuar dhe integruar mes njerëzve të mrekullueshëm të këtij qyteti.  

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/