DURRËS, 29 tetor 2013 – Kosovarët nuk vijnë vetëm për pushime në Durrës në fundjavë, ka të tjerë që duan të kalojnë Adriatikun me tragete, duke përdorur letra të rreme. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se policia kufitare ka bërë katër arrestime në flagrancë si dhe dy procedime penale në gjendje të lirë të kosovarëve në terminalin e trageteve të portit të Durrësit. Ata kanë përdorur dokumenta të falsifikuara (gjermane, sllovene, çeke, zvicerane) apo shfrytëzuar ngjashmëri fizike. Arrestime janë kryer edhe për shtetasit të cilët orvateshin të jepnin ndihmë për kalim të kufirit për shtetas të tjerë.
TË KALOSH NJË NËNË ME DY FËMIJË SI “GJERMANË”
Të dielën, 27 tetor 2013, në orën 21:00, u arrestua Valdet Behxheti, 41 vjeç, banues në fshatin Koshar, Ferizaj, Kosovë, me shtetësi kosovare. Po atë ditë, rreth orës 18:00, është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë kufitare në terminalin e trageteve të portit të Durrësit, teksa po ndihmonte për të kaluar kufirin për në Itali një grua, S.N. dhe dy fëmijët e saj. U kishte siguruar pasaportë dhe leje qendrimi gjermane, me gjeneralite të shtetasve të tjerë, duke shfrytëzuar ngjashmërinë fizike me ta. Lidhur me rastin u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe S.N., 31 vjeçe, banuese në fshatin Koshar Kosovë.
NJË PEJAN “SLLOVEN”
Të dielën, 27 tetor 2013, ora 00:50, u arrestua Fatos Elezaj, 34 vjeç, banues në fshatin Radac të komunës së Pejës, Kosovë, me shtetësi kosovare. Të shtunën, më 26 tetor 2013, rreth orës 23:00, nga shërbimet e policisë kufitare në terminalin e trageteve të portit të Durrësit, ndërsa po orvatej të shkonte në Itali, i pajisur me dokumente sllovene: një pasaportë dhe një leje drejtimi automjeti. Nga verifikimet e kryera gjatë hetimeve paraprake dyshohen të jenë të falsifikuara.
NGA ITALIA SI “ÇEK”
Më date 26.10.2013, ora 11:20, u arrestua Edon Kasumi, 21 vjeç, banues në Gjakovë, Kosovë, me shtetësi kosovare. Të shtunën, më 26 tetor 2013, rreth orës 09:30, është kapur në flagrancë nga nga shërbimet e policisë kufitare në terminalin e trageteve të portit të Durrësit, në hyrje, pasi kishte udhëtuar me një nga tragetet e linjës Bari-Durrës, me një pasaportë çeke, e cila dyshohet të jetë e falsifikuar.
“ZVICERANË”
Të dielën, 27 tetor 2013, ora 00:40, u arrestua Nazmi Muharremi, 42 vjeç, lindur në Kosovë e banues në Gjenevë, Zvicër, me kombësi shqiptare dhe shtetësi zvicerane. Të shtunën, më 26 tetor 2013, rreth orës 21:00, është kapur në flagrancë nga shërbimet e policisë kufitare në terminalin e trageteve të portit të Durrësit. 42-vjeçari po orvatej të kalonte në Itali Q. Muharremin dhe F. Muharremin, duke u vënë në dispozicion pasaportat e bashkëshortes dhe fëmijës së tij, pasi kishin ngjashmeri fizike me to. Po kështu, të shtunën, më 26 tetor 2013, u procedua penalisht në gjendje të lirë edhe shtetasja Q. Muharremi, vitlindja 32 vjeçe, banuese në fshatin Viti, Kosovë, me shtetësi kosovare.
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





