DURRËS, 28 tetor 2013 – Boshtet autorrugore të Durrësit që bashkojnë qytetin bregdetar me Tiranën e veriun me jugun, dhe pse janë më të mirat në vend nga gjendja teknike, u bënë burim i dy aksidenteve në fundjavë me 4 të plagosur. Kjo, ndoshta, dhe prej faktit se drejtuesit e mjeteve ecin me shpejtësi nga “qejfi” i autostradës, sikurse ndodhi me një tiranase dhe një fierak të premten dhe të dielën.

Afër karburantit “Shala”

Një 23-vjeçare nga kryeqyteti përplaset afër “Shalës”. Drejtoria e policisë së shtetit për qarkun e Durrësit njofton se të shtunën, më 26 tetor 2013, filloi procedimi penal në gjendje të lire për një femër 23 vjeçe, S. Gj., banuese në Tiranë. Të premten, 25 tetor 2013, rreth orës 22.30, duke një Ford me targa AA291BH, në autostradën Durrës-Tiranë, në afërsi të karburantit “Shala”, duke qenë në timon, ka humbur kontrollin duke dale jashtë rruge. Për pasojë, ka marrë dëmtime vetë S. Gj.-ja, e cila ndodhet në Spitalin Ushtarak në gjendje të rëndë, si dhe është dëmtuar lehtë bashkudhtëtari K.G., 34 vjeç nga Tirana.

Tek Ura e Dajlanit

Të dielën, më datë 27 tetor 2013 filloi procedimi penal në gjendje të lirë për 29-vjeçarin K. A, banues në Fier. Rreth orës 16.20, në afërsi të Urës së Dajlanit, duke drejtuar një Passat me targa AA691CV, ky shtetas ka humbur kontrollin mbi drejtimin e mjetit dhe është përplasur me bordurën anësore. Si pasojë e përplasjes, kanë pësuar dëmtime drejtuesi i mjetit dhe pasagjeri Q. Allkushi, 61 vjeç, banues ne Fier. Të dy ndodhen në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën.

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/