TIRANE – Ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri ka urdhëruar nisjen e reformës në Gardën e Republikës, e cila që nga dita e sotme nuk do të ekzistojë më në formën aktuale, por do të ristrukturohet dhe kthehet në një strukturë në varësi të Drejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Shtetit. 

Ministri e ka bërë të ditur nismën e tij gjatë një takimi që ka zhvilluar sot paradite ne mjediset e Gardës me drejtuesit kryesorë të kësaj strukture. 
Sipas Ministrit të Brendshëm brenda 100 ditëve do të marrë jetë struktura e re që do të quhet Drejtoria e Ruajtjes së Personaliteteve dhe Objekteve të rëndësisë së veçantë. Në krye të procesit të reformimit të Gardës së Republikës, Ministri ka emëruar Gramoz Sakon. 
“Reforma në Gardën e Republikës është më shumë se e domosdoshme. Mbi të gjitha për të larguar përfundimisht drejtimin politik nga Garda dhe për ta shndërruar në një institucion efektiv dhe efiçent. Garda e Republikës nuk do ekzistojë më si e tillë. Do jetë në kompetencën e drejtorit të policisë së shtetit. Jo militantë, jo amatorë, jo instrument politik. Kjo reforme do të kursejë fonde dhe hallka burokratike të tepërta dhe mbi të gjitha do të garantojë depolitizimin e këtij institucioni. Vullneti i qeverisë së sotme është bashkimi i të gjitha institucioneve ligjzbatuese. Në përfundim të reformës unë besoj do të kemi një institucion efiçent dhe profesional.”- deklaroi Tahiri. 
Duke nënvizuar vullnetin e kryeministrit Rama për të bërë drejtësi për ngjarjet e 21 janarit, ministri Tahiri tha se përgjegjësit që vranë njerëz të pafajshëm nuk do të mund t’i shmangen drejtësisë. 
“Çdokush e sheh peshën e përgjegjësisë që rri mbi Gardën e Republikës që prej ngjarjeve të 21 janarit. Veprimet e disave hodhën baltë të pamerituar mbi Gardën e Republikës por mbi të gjitha mbi efektivët e ndershëm të Gardës. Pakica që 21 janarin e ktheu në masakër nuk mund ti shmangen drejtësisë. Është në vullnetin kryeministrit Rama për të bërë drejtësi për 21 janarin. Jam më shumë se i vendosur për të bërë gjithçka për të ndihmuar drejtësinë në nxjerrjen e përgjegjësve konkretë. Kam besim që çekiçi i drejtësisë nuk do të vonojë, edhe pse sot rri pezull mbi kokat e atyre që vranë të pafajshëm. 

 

http://www.balkanweb.com/kryesore/1/shkrihet-garda-tahiri-cekici-i-drejtesise-per-21-janarin-nuk-do-vonoje-150928.html