SOFJE, 27 shtator 2013 – Qeveria bullgare emëroi më 25 shtator 2013dy diplomatë si konsuj të përgjithshëm të Bullgarisë – në Nju Jork dhe në Manastir (IRJ të Maqedonisë), njoftojnë mediet e Sofjes. Për postin në SHBA u vendos për Milen Ljutcanov-in, kurse në Maqedoni – për Teodor Rusinov-in. Portali radar.bg thotë se emri i Rusinovit u bë publik nga Komisioni i Dosjeve i paralmentit si bashkëpunëtor i drejtorisë së zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të ushtrisë bullgare me pseudonimin “Jordanov”. Rusinov-i u lirua si ambasador në Shqipëri nga presidenti Rosen Plevneliev, me propozimin e qeverisë së Bojko Borisov-it në shkurtin e vitit të kaluar. Pas marrjes së detyrës, ministri i ri i jashtëm Kristian Vigenin bëri një kërkesë që synon rehabilitimin e diplomatëve, që kanë punuar për Sigurimin komunist bullgar të Shtetit, kurse Presidenti Plevneliev reagoi duke deklaruar se nuk do të nënshkruante asnjë dekret për emërim ambasadori të “kujtdo që ka punuar për regjimin totalitar komunist dhe shërbimet e tij sekrete”. Por emërimi i konsujve përgjithësi, megjithatë, nuk kërkon dekretin e kreut të shtetit. Caktimi i z. Rusinov si konsull në qytetin e Manastirit, që banohet kryesisht nga shqiptarët, dëshmon se Sofja zyrtare ia vlerëson aftësitë si diplomat dhe ish-agjent, për më tepër me një të kaluar në Tiranë si ambasador. Janë të njohura rivalitetet bullgare-maqedonase për pakicat në Shqipëri (në Dibër dhe në Korçë).
Info
Me vendim të Komisionit të Dosjeve të Kuvendit të Bullgarisë, për herë të parë në u bënë publike në internet dosjet e të gjithë ambasadorëve, deri në dhjetor 2010, të cilët bënin pjesë në Sigurimin e Shtetit dhe Drejtorinë e Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë bullgare (shih poshtë print-screen-in e sajtit derzhanva sigurnost.com, ku më 15 shtator 2011 është botuar dosja e ambasadorit, atëherë ende në detyrë, në Tiranë, Teodor Rusinov). Teodor Rusinovi (lindur në vitin 1952), ambasador i jashtëzakonshëm dhe fuqiplotë i Bullgarisë në Tiranë (2007-2011), ka qenë bashkëpunëtor i Drejtorisë së Zbulimit të Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Bullgare (RU-GSH) që nga viti 1984 me pseudonimin “Jordanov”. Karriera e Rusinovit në Ministrinë e Jashtme filloi në vitin 1979. Si diplomat ka mbajtur pozicionet e mëposhtme: stazhier për atashe në sektorin e shtypit (1979-1980); atashe në sektorin e shtypit (1980-1982); atashe në sektorin III (1982-1983); sekretar i tretë, sektori III (1983-1984); sekretar i tretë në ambasadën në Athinë (1984-1987); sekretar i dytë në ambasadën në Athinë (1987-1988); sekretar i dytë në sektorin III (1988-1992); ekspert për çështjet politik dhe rajonale në drejtorinë e Evropës Juglindore (1992); sekretar i parë në Athinë (1992-1994) dhe këshilltar në ambasadë (1994-1995); krye-ekspert në drejtorinë e Evropës Juglindore (1995-1996); zëvendësdrejtor i drejtorisë së Evropës Juglindore (1996-2000); shefi i sektorit të Vendeve fqinje në drejtorinë e Evropës Juglindore (2000-2001); shefi i sektorit të Vendeve fqinje në drejtorinë e Evropës – I (2002-2007); me dekret të Presidentit Georgi Parvanov u emërua ambasador në Shqipëri në maj 2007 me mandat deri në korrik 2011.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





