DURRËS, 27shtator 2013 – Burime ende të pakonfirmuara zyrtarisht bëjnë të ditur se koalicioni i majtë pritet të emërojë në krye të administratës së portit të Durrësit një inxhinier korçar, i cili prej shumë kohësh ka punuar në portin e Pireut në Greqi, port “rival” i Durrësit. Flitet se ka lidhje krushqie me ish-kryetarin e bashkisë së Korçës, tani zëvendëskryeministër, Niko Peleshi. Përtej këtij fakti “nepotik”, inxhinieri ka kontribut të madh dhe ka financuar PS-në për zgjerimin e ndikimit të saj në emigracionin shqiptar të Greqisë.

OPERATORËT

Operatorë durrsakë në portin më të madh të vendit shprehin habinë pse sillet për të drejtuar, sado i aftë qoftë, një person që mund të njohë transportin, por jo kushtet konkrete të portit të Durrësit. Operatorët privatë thonë se të majtët në Durrës kanë mjaft ekspertë dhe administratorë të aftë për këtë post dhe që mund t’i ndikojnë për mirë në mbarëvajtjen e punës në një nga portet strategjike të Adriatikut, Ballkanit e më gjerë, i cili, me autostradat Durrës-Qafë-Thanë, Durrës-Morin dhe me ndërtimin e rrugës së Arbrit, do të shndërrohet në një nyjat më të mëdha të transportit multimodal të kontejnerëve nga Adriatiku deri në detin e Zi, duke nxjerrë jashtë loje portet greke. Këtë sinjal kanë dhënë maqedonasit, kosovarët, rumunët, bullgarët.

SELIA “LEJLA”

Dhe brenda PS-së dhe LSI-së ka njëfarë pakënaqësie për vazhdimin e traditës për “importimin” e kuadrove nga rrethet e tjera, kur Durrësi është i mbushur me specialistë nga më të mirët dhe në shkallë ndërkombëtare (specialistë, të cilët shkojnë punojnë edhe në Tiranë). Po ashtu, emërime të tilla janë njëfarë “përçmimi” për degën e PS-së së Durrësit, që ka 12 vjet që mund PD-në në bashki. Madje, segmente në selinë “lejla” të qarkut bregdetar e konsiderojnë këtë si mosmirënjohje pikërisht nga ana e Ramës, që ka gjetur mbështetjen më të madhe në vend në Durrës. Për më tepër, kreu i PSSH-së dhe qeverisë është stërnipi i një patrioti durrsak, si dhe djali i ish-deputetit të Durrësit, Kristaq Rama.

Info

SHBA: largoni grekët nga porti

Qysh në vitin 1998, menjëherë pasi ish-kryeministri Pandeli Majko dha OK-in për depozitat greke të karburantit në portin e Durrësit, Banka Botërore dhe SHBA nëpërmjet Thomas Pickering-ut, ish-zëvendësit të Sekretares së Shtetit Medlin Ollbrajt, kanë kërkuar shndërrimin e kalatës lindore në një terminal multimodal kontejnerësh gjigant nga Bregu Lindor i SHBA në Durrës-Maqedoni-Bullgari-deti i Zi-Azi, për të shmangur portet greke të Selanikut dhe Pireut. Po ashtu, Banka Botërore dhe konsulenti amerikan i financuar nga agjencia e qeverisë amerikane për Tregti dhe Zhvillim (U.S. TDA) rekomanduan heqjen e depozitave greke që pengonin zgjerimin e portit, por që paraqisnin rrezik për sigurinë në qytetin e Durrësit. Ato vazhdojnë të jenë në gjyq me Autoritetin Portual Durrës sh.a pas vendimit të qeverisë Berisha për të shkuar në Porto-Romano.

Grekë në agjencinë zvicerane dhe izraelite

Ndërkaq në portin e Durrësit ndjehet prania greke me personel të kompanive ndërkombëtare të transportit të kontejnerëve. Kështu, qysh në vitin 2008, kompania MSC Sa (Mediterranean Shipping Co. SA), me seli në Gjenevë të Zvicrës, i ka lënë në varësi filialit MSC Greqi (me seli qendrore Pire) nën-agjencinë (sub-agency) në Tiranë, nga ku mbulon veprimtarinë në portin e Durrësit (shih faksimilen e sajtit). Po ashtu, kompania e madhe izraelite e kontejnerëve me seli në Tel Aviv ZIM Integrated Shipping Ltd ia ka besuar drejtimin e agjencisë në Tiranë për të mbuluar veprimtarinë në portin e Durrësit shtetasit grek Costas Tsantires (shih faksimilen e sajtit). Për të kuptuar se ç’rëndësi paraqet porti i Durrësit, po citojmë një njoftim për shtyp të kësaj kompanie më 13 qershor 2012: “ZIM-i ka kënaqësinë të informoje se duke filluar nga muaji korrik [2012], Adriatic Express Service (ADX) do të shtojë në xhiron e saj dhe portin e Durrësit, Shqipëri. Porti i Durrësit është portë drejt tregjeve në zhvillim të Shqipërisë dhe Ballkanit qendror, duke përfshirë ish-Republikën Jugosllave të Maqedonisë (IRJM), Malin e Zi, Kosovën dhe rajonin. ADX ofron një lidhje pa pengesa për ngarkesa nga dhe në Azi, Amerikë dhe destinacione të tjera nëpërmjet qendrës sonë në Haifa, me lidhje të shpejtë në rrjetin tonë global të shërbimeve dhe kohëve superiore të transitit nga Amerika dhe Azia. Koha transit Haifa – Durrës është 4-5 ditë, më e shpejta në treg. Xhiroja e Adriatic Express Service (ADX): Haifa-Ashdod-Durrës-Koper-Trieste-Venecia-Ravena-Aleksandri-Haifa. Shai Babad, menaxheri i përgjithshëm i ZIM-it për zonën Izrael dhe Lindja e Afërme thotë: “Ne ofrojmë një shërbim unik për Shqipërinë me kohën më të shpejtë transit në treg, disponueshmëri pajisjesh të  shkëlqyera, lidhje me rrjetin e linjës globale ZIM dhe avantazhet e shërbimit të personalizuar të ZIM-it”.

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”