ITALI, 26 shtator 2013 –Një 28-vjeçare shqiptare është shtruar në spitalin Careggi të Firences në gjendje të rëndë shëndetësore, pasi ka rënë nga çatia e një kapanoni industrial, pas një grindjeje të ashpër me ish të shoqin, 32 vjeç, i cili e ka kërcënuar me sëpatë. 
Sipas agjencisë së lajmeve ANSA, gruaja e divorcuar jetonte me tre fëmijë të vegjël (më i madhi 4 vjeç) në Pistoia të Italisë, në disa lokale të kapanonit të braktisur që ka funksionuar më parë si një fabrikë. 
Sipas rindërtimit të ngjarjes nga karabinierët, ish-bashkëshorti i 28-vjeçares, identiteti i të cilit nuk bëhet i ditur, ka shkuar në shtëpinë e gruas dhe ka filluar të konfliktohet me të për arsye banale. Burri e ka kërcënuar me sëpatë, madje ka arritur ta qëllojë një herë në shpatullën e majtë. Për t’i shpëtuar egërsisë së tij, gruaja ka hipur në çati dhe pasi ka bërë me vrap rreth dhjetë metra ka rënë poshtë nga 4 metra e gjysmë lartësi. 
Njëri nga fqinjët, që ka parë ngjarjen, ka lajmëruar ndihmën e shpejtë, të cilët e kanë çuar gruan në spitalin Carreggi, ku e kanë shtruar në gjendje të rëndë shëndetësore. Madje sipas mjekëve, gruaja rrezikon të mbetet e paralizuar nga dëmtimet e marra. 
Sipas karabinierëve, edhe në bazë të dëshmisë së fqinjit, mund të ketë qenë i shoqi ai që e ka hedhur nga çatia, ndaj edhe kanë arrestuar 32-vjeçarin për ta marrë në pyetje dhe kanë sekuestruar sëpatën me të cilën i ishte hakërryer ish-bashkëshortes. 

 

http://www.balkanweb.com/kronike/2778/itali-e-ndiqte-ish-bashkeshorti-me-sepate-ne-dore-shqiptarja-bie-nga-tarraca-150748.html