TIRANE,26 shtator 2013 – Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, nga sot nuk ka më mandat zyrtar. Në bazë të statutit, ai e mbyll sot katërvjeçarin e drejtimit të partisë, pas zgjedhjes në 26 shtator të vitit 2009, sipas parimit “një anëtar-një votë”. Burimet nga PS-ja bëjnë të ditur se për këtë çështje nuk ka ndonjë shqetësim, pasi Edi Rama tashmë është kryetari i partisë që fitoi zgjedhjet e përgjithshme dhe për këtë rrjedhimisht ai mund të rimandatohet.
Por, për të respektuar statutin dhe rregullat e partisë, një grup pune, i përbërë nga sekretari organizativ, Blendi Klosi, e deputetët Taulant Balla e Bashkim Fino, janë duke përgatitur një raport, jo vetëm për zgjedhjen e kreut të partisë, por edhe për zgjedhjet e kryetarëve të organizatave, të cilët kanë një mandat 2-vjeçar. Këta të fundit u zgjodhën në 2011-ën dhe janë të lidhur automatikisht me ecurinë e zgjedhjeve, si ato vendore, ashtu edhe ato të përgjithshme. Sipas nenit 28 të statutit, pika 3, “Kur vendi i Kryetarit të Partisë mbetet vakant, Asambleja Kombëtare mblidhet brenda 15 ditëve dhe thërret brenda 30 ditëve Kongresin e Jashtëzakonshëm të Partisë, për administrimin e kandidaturave dhe caktimin e datës së votimit për zgjedhjen nga anëtarësia të Kryetarit të ri të Partisë, e cila nuk duhet të jetë më vonë se një muaj nga data e zhvillimit të Kongresit”.
Kështu, pritet që në mbledhjen më të parë të kryesisë së PS-së të thirret Asambleja Kombëtare, e cila nga ana e saj do të përcaktojë datën e Kongresit. Dhe më tej, në nenin 30, pika 2, thuhet shprehimisht se: “Mandati i Kryetarit të Partisë është 4 vjet. Mandati i tij ndërpritet para kohe kur: a. Jep dorëheqjen; b. Partia humbet në zgjedhjet e përgjithshme legjislative; c. Humbet në mocionin e mosbesimit të zhvilluar për të me kërkesën e 1/3”. Kështu, asnjëra prej tri pikave më lart nuk e detyrojnë Edi Ramën të ndërpresë mandatin, përveç përfundimit normal të 4-vjeçarit. 4 vjet më parë ai garoi, pikërisht më 26 shtator, me kandidatin tjetër Maqo Lakrori.
Pas dy ditësh numërime të votave, Kryetari i Komisionit të Zgjedhjeve në PS, Genc Gjonçaj konfirmoi, përmes shifrave zyrtare, rizgjedhjen e Edi Ramës në krye të partisë. Nga 82 304 anëtarë, në votime morën pjesë 55 981 anëtarë, ose 68%. Nga këto, vota të vlefshme kanë rezultuar 55 225, ose 98.6%, dhe vota të pavlefshme 756, ose 1.4%. Gjonçaj bëri të ditur se krahasuar me zgjedhjet e vitit 2007, rezulton se numri i anëtarëve të Partisë Socialiste ishte rritur me 4.440 anëtarë, si dhe pjesëmarrja në votim ishte rritur me 4.5%. Edi Rama nga këto vota ka marrë 51 511 vota, ose 93.3%, dhe Maqo Lakrori 3 714 vota, ose 6.7%. Menjëherë sapo ka marrë zyrtarisht mandatin, Rama 4 vjet më parë nisi konsultimet me më të vjetrin e partisë. Ai shkoi menjëherë e vizitoi patriarkun e PS-së, Dritëro Agolli, ndërkohë që rreth tij kishte më shumë kundërshtarë, të cilët e akuzuan për një proces zgjedhor jotransparent.
HAPAT E ZGJEDHJES SË KRYETARIT TË PS
Mblidhet kryesia e partisë
Thirret mbledhja e Asamblesë Kombëtare
Asambleja cakton datën e Kongresit të Jashtëzakonshëm
Në kongres administrohen kandidaturat për kryetar të partisë
Kongresi cakton datën e zgjedhjeve sipas parimit “një anëtar-një votë”
http://www.balkanweb.com/politike/2775/kryeministrit-rama-i-skadon-mandati-ne-ps-nis-procedura-per-zgjedhjet-150679.html





