TIRANË, 26 shtator 2013 – Në disa raste shfaqet mungesë e plotë respekti për punën e pjesës më të madhe të gjyqtarëve dhe gjyqësorit, bordit drejtues të një OJQ-je të quajtur “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë” i ka djegur reagimi i brendshëm dhe ndërkombëtar lidhur me vendimin e togave të zeza për 21 janarin. Vërehet ankth për spastrime në drejtësi në një deklaratë për shtyp të shpërndarë më 26 shtator nga kjo OJQ, teksa thotë se procesi i vazhdimit të reformave për një gjyqësor më të përgjegjshëm e të pavarur “kërkon një klimë bashkëpunuese, gjithëpërfshirëse dhe jo përjashtuese”. Reagimet e Brukselit konsiderohen thjesht retorikë, fjalë me ngarkesë pejorative. Për OJQ-në “retorika që po i paraprin kësaj pritshmërie, në disa raste shfaqet në mungesë të plotë respekti për punën e pjesës më të madhe të gjyqtarëve dhe gjyqësorit”. OJQ-ja përsërit një deklaratë të shkurtit 2013 kundër reagimit amerikan për vendimin e faktit të Tiranës për 21 janarin. Sërish lëshohet kërcënimi se kjo retorikë “jo vetëm që nuk përbën premisën e duhur dhe vizionare për ndërtimin e besimit të publikut tek drejtësia, por frymëzon refuzimin e autoritetit të vendimeve gjyqësore, element jetik për shtetin e së drejtës”. Por shpejt i “bien pendët” OJQ-së: “Unioni i Gjyqtarëve të Shqipërisë bën apel për urtësi në trajtimin e çështjeve të drejtësisë”.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





