DURRËS, 25 prill 2013 – Sot në Durrës nis edicioni VIII i festivalit ndërkombëtar të muzikës aristokratike, sikur se është ajo e dhomës. “Koncertet që organizohen në këtë festival, janë një mrekulli e vërtetë dhe shume të pasura në përmbajtje”, thotë dirigjenti i famshëm shqiptar me banim dhe veprimtari në Britani, Eno Koço. Drejtorja artistike e Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës, violinistja e njohur durrsake Nevila Kalaja (në foto) thotë se edicioni VIII që zhvillohet në Durrës fillon më 25 shtator dhe përfundon më 11 tetor 2013 me shfaqjen e një filmimi të RAI Prix Italias të operas “Traviata” të Xhuzepe Verdit në kuadrin e 200-vjetorit të lindjes së kompozitorit gjenial. Koncertet e këtij manifestimi kulturor do të jepen në amfiteatër. Veprimtaria organizohet nga shoqata “Arti dhe kultura italo-shqiptare”, krijuar në vitin 2004 në Durrës me nismën e disa artistëve durrsakë, të cilët kanë studiuar e kaluar një pjesë të veprimtarisë së tyre në Itali. Qëllimi i kësaj shoqate ka qenë dhe është bashkëpunimi i artistëve shqiptarë me të huaj, shkëmbimi i përvojave të kulturave të vendeve të ndryshme. Gjatë këtyre viteve kjo shoqatë ka organizuar mjaft koncerte në Durrës, Tiranë dhe Itali, të cilat kanë përcjellë në publik një nivel të lartë interpretimi artistik. Një rëndësi të veçantë i është dhënë organizimit prej anëtarëve të kësaj shoqate “Festivalit Ndërkombëtar të Muzikës së Dhomës”, që zhvillohet me sukses që prej vitit 2006. Ky festival u krijua pikërisht me qëllimin për të siguruar një vazhdueshmëri jo vetëm në njohjen e kulturave të ndryshme nëpërmjet artisteve të ardhur nga Italia, Austria, Franca, Greqia, Zvicra, Kosova, Maqedonia etj, por edhe me dëshirën e madhe për t’u ballafaquar me këto kultura dhe kjo nëpërmjet shfaqjeve të përbashkëta me instrumentistë shqiptarë. Një tjetër synim i kësaj veprimtarie është pjesëmarrja e artistëve shqiptarë që jetojnë e punojnë jashtë Shqipërisë. Vit pas viti veprimtaria ka plotësuar fizionominë e saj, duke u bërë tashmë një aktivitet i mirëpritur nga publiku artdashës durrsak, por gjithashtu i njohur dhe i mirëvlerësuar edhe nga rrethet artistike të kryeqytetit e më gjerë në Shqipëri. Hapjen e Festivalit e bën koncerti i Vienna Mozart Trio, më 29 shtator ka recital në piano Merita Rexha Tërshana, më 1 tetor është koncerti i trios Durrhachium, më 7 tetor do të perfomojë trioja Durrësi, më 10 tetor japin koncert 4 klarinetistë italianë (shih kalendarin). Veprimtaria mbështetet nga ambasada austriake në Tiranë, Raiffesien Bank, Instituti i Kulturës Italianë në Tiranë, Bashkia e Durrësit, Belle Air, Vodafone.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





