24 shtator 2013- Kryeministri Edi Rama ka postuar dje fotografi të tjera të disa mobilieve të dëmtuara që gjenden në godinën e Këshillit të Ministrave. Megjithëse në Nju Jork, kreu i Ekzekutivit ka vijuar publikimin e fotove mbi sendet që ndodheshin në selinë e qeverisë. Shtatë fotografitë e postuara u përkasin disa mobilieve, që sipas Ramës, janë italiane dhe të prodhuara rreth 70 vjet më parë.
“Mobilie origjinale të fillimviteve ’40, prodhuar enkas në Itali për godinën e Kryeministrisë, që kalben në depo bashkë me vlerën e tyre të rrallë estetike e historike. Këto e të tjera vlera të shkatërruara plotësisht apo të zhdukura pa gjurmë janë zëvendësuar me gjithfarë sendesh të blera në pazarin e vulgariteteve”, shkruan kreu i qeverisë në faqen e tij në rrjetin social “Facebook”.
Prej disa ditësh Rama ka postuar në faqen e tij momente të fiksuara mbi gjendjen që socialistët morën godinën e Kryeministrisë. Njëri prej përfaqësuesve socialistë, të cilët kanë qenë nga dita e parë në godinën e Kryeministrisë kur po përgatitej ndërrimi i pushtetit, Artan Lame, thotë se janë shumë njerëz që po japin ndihmën e tyre.
“Edhe unë vetë jam një donator vullnetar, pasi po bëj një punë që nuk paguhem, por e bëj për kënaqësinë time më të madhe për t’u marrë me ketë gjë. Ke këto ndërtesa që kaq pak na kanë mbetur, dhe vjen dikush dhe të thotë hajde. Donator kam qenë edhe në kohën e Berishës, pasi dua të merrem me këtë gjë”, deklaroi Lame. Ai theksoi më tej se “donacionet janë të disa kategorive, dikush lulet, dikush pllakat, dikush pastrimin etj. Donacione e mëdha janë tjetër gjë, kur të nisim restaurimin me themel do të vihet një pllakë ku do të vihet emri i donatorit”. Dy ditë më parë, ishkryeministri Berisha dhe pasardhësi i tij, Edi Rama, replikuan në rrjetin social “Facebook” lidhur me gjendjen e godinës së Këshillit të Ministrave. Berisha shkruante se selia ku ai punoi për tetë vite u vlerësua nga liderë të vendeve të rëndësishme për arredimin, mjediset dhe sallat.
Sipas tij, me ardhjen në pushtet socialistët e shkatërruan godinën. “Edvini, sapo hyri në Kryeministri, nisi pa asnjë prokurim, punimet në të katër anët, brenda dhe jashtë ndërtesës. Kështu, u rrëzuan mure, suva, u shqepën parkete, tapete, perde, emblema, dhe ai vetë i fotografoi ato. Dhe këto foto ua serviri qytetarëve, sikur kjo ishte ndërtesa e qeverisë që mori në dorëzim nga armiku i tij, dhe natyrisht, për të justifikuar punimet pa prokurime me të cilat mbushën xhepat, siç bëri si ministër i Nanos dhe kryetar Bashkie”, shkruante Berisha. Në përgjigje të reagimit të Berishës, Kryeministri Edi Rama shkruan se godinën e kishte pushtuar rrënimi dhe pisllëku.
“Keqardhje për reagimet jodinjitoze lidhur me publikimin e fotove të mjediseve të Kryeministrisë prej atyre që për vite kanë hyrë çdo ditë në këtë godinë, po s’kanë pasur sy për të parë rrënimin, pisllëkun e shijen gjithnjë e më vulgare që kanë pllakosur një vend kaq të rëndësishëm të punës në shtetin shqiptar, që përpos të tjerash, është edhe një prej godinave me vlerën më të rëndësishme historike e arkitektonike të vendit tonë”.
http://www.panorama.com.al/2013/09/24/artan-lame-edhe-une-vete-jam-nje-donator-te-kryeministria-po-bej-pune-pa-pagese/





