DURRËS, 24 shtator 2013 – Ndryshe nga qytetarët që duan vetëm makina “dojç”, banorët e zonave rurale “çmenden” pas makinave italiane, saqë shkaktojnë edhe aksidente. Burime zyrtare nga policia e Durrësit thanë se më 23 shtator 2013, ora 11.30, u arrestua në flagrancë A. K., 34 vjeç, nga fshati Shkallnur i Durrësit. Banori nga rrethinat e qytetit të madh bregdetar, rreth orës 8.10, në boshtin rrugor Plepa-Ura e Dajlanit, sektori Iliria, duke drejtuar automjetin Fiat Punto me targa AA133 BK, ka aksidentuar me vdekje biçiklistin Teme Myrtaj, 45 vjeç, me banim në Plazh. Për të parandaluar të tilla fatkeqësi rrugore, forcat e rendit në komisariatin e Krujës, në 23 shtator 2013, filluan procedimin në gjendje të lirë për 20-vjeçarin E. R., nga fshati Burizanë i Krujës. Rreth orës 12:30 të së njëjtës ditë, ky shtetas është kapur në Thumanë duke drejtuar një veturë Alfa Romeo me targa YHX 6229, pa qenë i pajisur me leje drejtimi për automjete.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





