DURRËS, 24 shtator 2013 – Në pranga dy kushërinj laçianë, rasti i bujshëm i vjedhjes së makinave të pushuesve, sidomos atyre nga Kosova, është vënë në rrugë ligjore. Drejtoria e policisë e shtetit e qarkut të Durrësit thotë se në vijim të punës për zbulimin dhe dokumentimin e vjedhjes së automjeteve në zonën e plazhit, më 23 shtator 2013, u ndaluan shtetasit e identifikuar e të shpallur në kërkim si bashkautorë në vjedhje. Kolegët e komisariatit të policisë së Laçit ndaluan dy kushërinj, A. Gj., 18 vjeç shpallur në kërkim më 17 shtator 2013, dhe I. Gj., 39 vjeç, të dy nga Katundi i Ri, Mamurras. 39-vjeçari, dhe pse nuk ishte në kërkim, u ndalua me nismë të bluve të Kurbinit. Sipas të dhënave hetimore, I. Gj. del i përfshirë në vjedhjet e të paktën 13 automjeteve të pushuesve (plus një rast i mbetur në orvatje), kryer në kohë të ndryshme në zonën e plazhit të madh të Durrësit. Ndërkohë hetimi ka zbardhur edhe destinacionin e mjeteve të vjedhura, një pjesë e të cilave janë shitur në zonën e Laçit në gjendje pune duke paraqitur pretendime të ndryshme mbi gjendjen teknike të tyre dhe një pjesë është shitur e çmontuar në pikat e grumbullimit të skrapit, zona e Gjormit, autostradë. Ky hetim vijon të plotësohet me prova të tjera ligjore, ndërkohë që vijon puna edhe për dokumentimin e bashkëpunëtorëve të tjerë në këtë veprimtari. Laçianët do të hetohen më tej nga prokuroria e Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





