DURRËS, 23 shtator 2013 – Merr fund odiseja e shitjes së skrapit të anijeve, një firmë me seli pranë Kthesës së Kamzës ua“ngec” turqve “kurnacë” të Kurum-it, konsumatorit kryesor të hekurishteve në Shqipëri.

Më 22 korrik 2013 kompania publike e Autoritetit Portual Durrës (APD) shanjoftonte se do të shiste me ankand më 12 gusht 2013 ato që kanë mbetur nga anija e mallrave gjenerale 500-tonësh Lezha, prodhim i vitit 1981 i ish-kantierit detar të Durrësit, rimorkiatori Orikum, po prodhim durrsak i vitit 1981, batipali. Bie në sy fakti që komisioni i ankandit nuk ka përcaktuar sasinë e skrapit, por vetëm vlerën fillestare prej 16 307 000 lekë. Kështu nuk bëhet transparent se me çfarë çmimi për njësi do të jepej ky skrap, ndryshe nga sa ndodhi me specifikimet e hollësishme për ankandin e shitjes së vajrave dhe lubrifikanteve më 13 gusht 2013. Më 23 shtator 2013 APD sha bëri njoftimin e fituesit të tenderit të mësipërm që është operatori ekonomik Rafaelo 2002 sha me seli pranë Kthesës së Kamzës në Tiranë. Në tender morën pjesë Rafaelo 2002 sha me ofertën 16 809 600 lekë, Kurum International sha me ofertën 16 320 000 lekë dhe Tirana Due shpk me ofertë atë që kishte caktuar si fillestare APD-ja: 16 307 000 lekë. Nuk kuptohet pse Kurum-i u tregua kaq “kurnac” duke shtuar vetëm 13 mijë lekë mbi dyshemenë e APD-së, ndërkohë që ai konsumon të gjithë skrapin në metalurgjikun e Elbasanit. Mund t’i dalë për hundësh, pasi mund ta blejë sa frëngu pulën nga Rafaelo 2002 sha që APD-së ia mori me një çmim 502 600 lekë mbi çmimin dysheme. Nuk përjashtohet fakti që Kurum-i di vështirësitë e copëtimit të skrapit të anijeve dhe nuk ka lakmuar.

Info/

Anija për transport mallrash gjenerale Lezha është regjistruar në Organizatën Ndërkombëtare të Detare (IMO) me nr. 8835396, me flamur shqiptar, prodhim shqiptar i kantierit detar të Durrësit në vitin 1981 me kapacitet 500 tonë. Ka punuar kryesisht në transport detar të brendshëm. Në ngjarjet e marsit 1997 u mbyt anija 500 tonësh Lezha gjë që vështirësoi mjaft manovrimin e trageteve dhe anijeve në akuatoriumin e portit. Në vitin 1998, me fondin 2.2 milionë euro, u realizua pastrimi i sheshit të ish-NN Portit, nxjerrja e anijes Lezha etj.

/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/