TIRANË, 18 shtator 2013 – Ministria e Brendshme njofton se operacionet e Policisë së Shtetit në të gjithë vendin në funksion të goditjes së veprimtarisë kriminale kanë vijuar edhe gjatë 18 shtatorit 2013 dhe po ashtu janë ndërmarrë një sërë masash për kontrollin e territorit duke organizuar shërbime policore, patrullime dhe pika kontrolli në vende të ndryshme të qyteteve, por dhe në akset rrugore në funksion të parandalimit të ngjarjeve. Gjatë 24 orëve të fundit në saj të këtyre masave të posaçme të ndërmarra nga Policia e Shtetit në të gjithë vendin është bërë e mundur të procedohen 83 persona të akuzuar për kryerjen e veprave të ndryshme penale, si dhe të plotësohen kërkesë paditë për lëshimin e urdhrave të mbrojtjes në 9 raste të dhunës në familje.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Vlorë
Janë arrestuar 4 persona për vepra të ndryshme penale. Është bërë arrestimi në flagrancë i shtetasve L. C., vjeç 17, banues në lagjen “Partizani“, Vlorë; E. A., vjeç 28, banues në Vlorë. Arrestimi i këtyre shtetasve është kryer për arsye se pas një konflikti për motive të dobëta midis tyre kanë plagosur njëri-tjetrin me mjete të mprehta nga të cilat ka ngelur i dëmtuar më rëndë shtetasi E. A. Nga kontrolli i ushtruar në banesën e këtij shtetasi u gjet dhe sekuestrua edhe një armë zjarri tip pistoletë. Për shtetasin me iniciale L. C., u bë arrestimi në flagrancë për plagosje të rëndë me dashje, ndërsa për shtetasin E. A., u bë arrestimi në flagrancë për plagosje të lehtë me dashje dhe për armëmbajtje pa leje. Nga shërbimet e patrullës së përgjithshme është bërë arrestimi në flagrancë për vjedhje i shtetasit L. H., vjeç 18, banues në lagjen “Lirim”, Vlorë. Arrestimi i këtij shtetasi u krye pasi është kapur në flagrancë duke vjedhur brenda një banese në lagjen “Kushtrimi”. Nga strukturat e komisariatit të policisë Delvinë është bërë kapja dhe shoqërimi i personit të shpallur në kërkim për armëmbajtje pa leje, Th. B., vjeç 47, banues në Delvinë. Ky shtetas ishte shpallur në kërkim më datë 06.07.2013 nga policia e Delvinës. Iu vu në dispozicion Prokurorisë së Rrethit Sarandë. Gjithashtu nga Drejtoria e Policisë Vlorë ka filluar procedimi penal edhe për 4 raste të tjera për veprat penale shpërdorim detyre, mashtrim dhe shkatërrim prone dhe materialet procedurale për këto raste i janë referuar prokurorisë. Nga strukturat kundër krimit financiar në komisariatin e policisë Sarandë ka filluar procedimi penal dhe janë referuar materialet procedurale në prokurori për veprën penale shpërdorim detyre në ngarkim të punonjësve të Inspektoratit Ndërtimor Urbanistik Vendor të komunës Lukovë pasi kanë lejuar ndërtimin e një objekti 2-katesh pa leje në fshatin Piqeras.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Durrës
Është bërë i mundur arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve përkatësisht G. M., vjeç 20, banues në Shijak dhe E. K., vjeç 20, banues në Shijak, pasi ju gjet dhe sekuestrua një sasi lëndë narkotike e tipit cannabis sativa.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Tiranë
Strukturat e Policisë së Qarkut Tiranë, brenda 24 orëve të fundit në kryeqytet kanë bërë të mundur kapjen dhe më pas arrestimin në kushtet e flagrancës të 6 shtetasve, nga të cilët një shtetas i arrestuar për armëmbajtje pa leje dhe 4 shtetas të tjerë për vepra të ndryshme penale si (dhunë në ambientet familjare, plagosje, vjedhje në bashkëpunim etj). janë shoqëruar në komisariatet e policisë 131 shtetas, janë kontrolluar 276 persona, 230 automjete të ndryshme për dokumentacion të rregullt apo xhama të errësuar. Janë vendosur 660 masa administrative për mos zbatim të sinjalistikës rrugore, parkim të gabuar, ecje tej normave të lejuara e shkelje të Kodit Rrugor. Nga Komisariati i Policisë nr. 1 u kap shtetasi në kërkim A. T., vjeç 41, pasi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Lushnje, ka urdhëruar ndalimin e tij për veprën penale të vjedhjes. Nga komisariati i policisë nr. 3 u arrestua në flagrancë shtetasi N. K., vjeç 40, banues në Tiranë, pasi u kap në flagrancë, me një armë zjarri pistoletë, nagant me mulli 1898, 7 fishekë pistolete dhe 1 fishekë pushke pa leje. Nga komisariati i policisë nr. 4 u arrestua në flagrancë shtetasi K. D., vjeç 36, banues në Tiranë, pasi ka shkelur urdhrin e mbrojtjes të Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Tiranë dhe ka ushtruar dhunë fizike e psikologjike ndaj familjarëve të tij. Nga komisariati i policisë nr. 5 u ndalua shtetasi P. T., vjeç 38, banues në Tiranë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë arrest ne burg, për veprën penale të dhunës në familje. Nga komisariati i policisë Nr. 6 u ndalua shtetasi në kërkim A.D. vjeç 26, banues në Mëzes-Fushë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, ka vendosur masën e sigurisë arrest në burg, për veprën penale të vjedhjes. Nga komisariati i policisë Kavajë u ndalua shtetasi në kërkim, A. H., vjeç 34, banues në fshatin Cikallesh, pasi Gjykata e Rrethit e ka dënuar me 1 muaj e 10 ditë burg, për veprën penale të vjedhjes.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Fier
Në kuadër të operacionit të koduar “Minucano”, në bashkëpunim dhe me Interpol Roma u bë kapja dhe ndalimi i shtetasit të shpallur në kërkim ndërkombëtar F. M., vjeç 23, banues në Libofshë Fier. Ndalimi i këtij shtetasi u bë pasi Prokuroria e Luca-s Itali, me datë 15.07.2013, ka nxjerrë një urdhër arresti ndërkombëtar për këtë shtetas, pasi dyshohet se me datë 15.01.2013 në qytetin e Minicciano-s në Itali, në bashkëpunim me disa shtetas të tjerë, kanë kryer grabitje të armatosur në banesën e një shtetasi italian, të cilin e kanë lidhur në banesë, ku si pasojë e asfiksisë ky i fundit ka gjetur vdekjen. F. M. akuzohet për veprat penale vrasje, rrëmbim dhe vjedhje të kryera në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 110, 575, 577, 56, 628 dhe 605 të Kodit Penal italian. Materialet proceduriale do t’i kalojnë Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Fier për veprime të mëtejshme. Është bërë gjithashtu ndalimi i shtetasve të shpallur në kërkim F. T., vjeç 50 e I. Z., vjeç 21, të cilët akuzohen për vjedhjen me dhunë të një sasie hekurishtesh në territorin e TEC-it. Nga shërbimet policore të kësaj drejtorie në funksion të parandalimit të aksidenteve u bë i mundur gjithashtu arrestimi i 4 shtetasve pasi janë kapur duke drejtuar automjetin pa dëshmi aftësi, përkatësisht: F. A., vjeç 18, banues në fshatin Zhupan, pasi u kap duke drejtuar mjetin tip “Ranault” me targë BOGA 23, pa dëshmi aftësie; S. J., vjeç 44, banues në Fier, pasi u kap duke drejtuar mjetin “Sharan” me targë AA 908 AL pa dëshmi aftësie; E. M., vjeç 23, banues në Mirditë, pasi u kap duke drejtuar mjetin “Benz” me targë TR 8680 M, pa dëshmi aftësie; E. K., vjeç 21, banues në Lushnje, pasi u kap duke drejtuar pa leje drejtimi mjetin tip “Peugeot”, me targë AA833F. Nga komisariati i policisë Lushnje u arrestua në flagrancë shtetasi D. D., vjeç 29, banues në fshatin Shegas, pasi në banesë, gjatë kontrollit të ushtruar, iu gjet e bllokua me cilësinë e provës materiale një armë zjarri automatik model 56 dhe një krehër me pesë fishekë, që i mbante pa leje.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Berat
Nga komisariati i policisë Kuçovë u arrestua në flagrancë shtetësi J. D., vjeç 37, banues në fshatin Tapi, pasi ka goditur me mjete të forta në kokë bashkëshorten duke i shkaktuar plagë të lehta.
Drejtoria e Policisë së Qarkut Korçë
Është bërë i munduar arrestimi në flagrancë i 2 shtetasve nga Seksioni kundër narkotikëve, përkatësisht P. Xh., vjeç 23 dhe T. N., vjeç 24, që të dy banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa. Nga komisariati i policisë Devoll u arrestua në flagrancë shtetasi I. K., vjeç 44, banues në Bilishtit, ka ushtruar dhunë fizike ndaj bashkëshortes së tij si dhe ka dhunuar banesën e kunatës. Nga komisariati i policisë Pogradec u arrestua në flagrancë shtetasi K.M., vjeç 17, i datëlindjes 06.08.1996, banues në fshatin Vërdovë, pasi gjatë kontrollit iu gjet e bllokua një thikë, pa leje.
Seksioni kundër narkotikëve në Drejtorinë e Policisë së Qarkut Elbasan
U arrestua në flagrancë shtetasi K. D., vjeç 19, banues në Elbasan, pasi iu gjet e bllokua në cilësinë e provës materiale një sasi lënde narkotike e llojit cannabis sativa.
Shënim: “Dyrrah”-u ka censuruar emrat e plotë të të ndaluarve, duke respektuar të drejtën e prezumimit të pafajësisë dhe standardet ndërkombëtare të gazetarisë profesioniste.





