18 shtator 2013- 1 vit burg për ish-kreun e gardës Ndrea Prendin dhe 3 vjet burg për gardistin Agim Llupon, ndërsa i pafajshëm nga kjo çështje doli i akuzuari i tretë nga prokuroria, shoferi i Prendit, Margarit Kume.Ky është vendimi që gjykata e apelit dha pasditen e sotme për dy të akuzuarit për vrasjen e tre demostruesve në ngjarjen e 21 janarit në kryeqytet, duke ndryshuar kështu masën e sigurisë së gjykatës së Tiranës, e cila i pati shpallur të pafajshëm.

“Vendimi i Apelit ndryshoi vendimin e Gjykatës së Tiranës, por është i pabazuar në ligj. Ne do të ndjekim hapat e ankimit, do të jetë gjykata Supreme që do të thonë përfundimisht fjalën e tyre”- tha avokati mbrojtës i Prendit, Gjokutaj. Gjokutaj theksoi se do të ndjekë shkallët e gjyqësorit deri në nxjerrjen e pafajshëm të Ndrea Prendit. “Do të ndjekim hapat e ankimit, do jetë gjykata Supreme dhe shkallët e gjyqësorit që do thonë fjalën e tyre”. 

Gjyqi për 21 Janarin cilësohet si një proces gjyqësor që ka futur në kontradiktë politikën shqiptare si dhe ka ngjallur një diskutim juridik. 
Më 21 Janar, viti 2011 u vranë gjatë një proteste të së majtës atë kohë në opozitë, protestuesit Hekuran Deda, Aleks Nikaj, Faik Myrtaj dhe Ziver Veizi.