DURRËS, 18 shtator 2013 – Një fortunal i pazakontë prej dekadash, me shpejtësi tajfuni mbi 250 km në orë, me erë, shi dhe breshër kanë goditur pasditen e 17 shtatorit 2013 Durrësin, duke shkaktuar jo vetëm probleme të shumta në qarkullim, por edhe dëme të shumta. Situata më problematike është regjistruar në hyrje të qytetit, në Plazh dhe Shkozet. Si pasojë e reshjeve të mëdha në “Kodër Vilë” ka pasur dhe rrëshqitje dherash. Nga moti i keq janë krijuar radhë të gjata automjetesh në rrugët e qytetit bregdetar, ndërsa mësohet se janë pezulluar edhe lundrimet në det për shkak të erërave dhe dallgëve të forta. Objekte të shkëputura nga forca e erës nga lartësitë e godinave shumëkatëshe kanë shkaktuar thyerje vetratash, pemësh dhe dëmtime automjetesh. Janë çarë tubacionet e ujit në urgjencën e spitalit, duke sjellë përmbytje të ambienteve të saj. Kjo situatë në qytetin e Durrësit, ripërsëritet sa herë që ka reshje intensive dhe shkak është mosfunksionimi i kanalizimeve të ujërave të larta nga kodrat e e atij që njihet dhe ndryshe Mali i Durrësit. Në lagjen nr. 1 të qytetit, pranë shëtitores bregdetare një konstruksion druri është shkëputur nga një papafingo në katin e sipërm të njërës prej dy kullave binjake dhe ka rënë mbi një autobus turistësh të parkuar në shesh. Autobusi i përket një agjencie turistike kosovare që ka sjellë në Durrës një grup maturantësh, po fatmirësisht nuk ka pasur të dëme në njerëz. Në kryqëzimin pranë marketit të KMY-së në rrugën “Aleksandër Goga” është këputur një kabëll ajror elektrik, që mund të rrezikonte kalimtarët, por që shkaktoi dhe ndërprerje të energjisë elektrike në lagjet nr. 12 dhe 8.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/