18 shtator 2013- Kryeministri Edi Rama ka zhvilluar nje takim paraditen e sotme me presidentit të Maqedonisë, George Ivanov, ku thelb i takimit ka qene zbatimi dhe implementimi rigoroz i marrëveshjeve ndërkombëtare për bashkëjetesën harmonike mes pjesës maqedonase dhe shqiptare në Maqedoni.

“Ne kemi qenë dhe mbetemi të shqetësuar për implementimin e marrëveshjeve dhe mekanizmave të dakortësuar lidhur me mbarëvajtjen e bashkëjetesës se shqiptarëve në Maqedoni. Zoti president më shprehu shqetësimin e tij që të ketë më shumë vëmendje dhe hapësirë për pakicën maqedonase në Shqipëri dhe unë e marr këtë mesazh jo thjesht si detyrim të shtetit tonë ndaj cdo pakice, por dhe si shprehje të një fakti të thjeshtë, se ne nuk i kërkojmë të tjerëve atë që ne nuk kemi mundësi ta bëjmë për të tjerët. Dua të shpresoj e të besoj se sëbashku si fqinj dhe si miq ne do cojmë para një proces bashkëpunimi, ku implementimi me rigorozitet i marrëveshjeve dhe mekanizmave ndërkombëtare për të dakortësur bashkëjetesën mes pjesës maqedonase dhe shqiptare të Maqedonsië do jetë i padiskutueshëm. Ne kemi qenë , jemi dhe do mbetemi të interesuar për të forcuar bashkëpunimin mes dy vendeve dhe qeverie. S’ka dyshim se kjo është një kohe e re pas marrëveshjes Kosovë-Serbi që hap mundësi të re për rajonin. Pas kësaj kohe dhe Shqipëria dhe Maqedonia duhen të shohin para me vizion të ri dhe projekte te reja", u shpreh Rama.

Ndërsa Presidenti i Maqedonisë George Ivanov theksoi se mes tij dhe kryeministrit Rama u zhvillua një bisedë konstruktive ku kryesore ishte tema e integrimit. “Diskutuam çështje që na preukupojnë ne si rajon, sepse bëhet fjalë për çështje që janë rajonale, e gjithë kjo në favor të mirëqënies së popujve tonë, që kanë nevojë për komunikim, biznes, për t’u njohur me njëri-tjetrin. Rruga drejt BE është ajo çka ndryshon realitetin tonë, të gjithë e njohim të kaluarën e Ballkanit, por është hera e parë që kemi diçka që na bashkon për të ardhmen. Pra me këtë, duke qenë të përkushtuar me axhendën europiane për të gjithë do i bëjmë ballë dhe atyre që nuk e duan këtë” u shpreh Ivanov.