Transport falas për fëmijët me shkolla në distancë nga shtëpitë e tyre dhe politika specifike në ndihmë të familjeve me nivel të ulët ekonomik.

18 shtator 2013- Këto kanë qenë premtimet e ministres së re të Arsimit, Lindita Nikolla. Dita e parë e punës ka përkuar me nisjen e vitit të ri shkollor dhe bashkë me ministren e Kulturës, Mirela Kumbaro, ajo zgjodhi Liceun Artistik “Jordan Misja” për të përcjellë urimin për nxënësit, mësuesit e prindërit. Më herët Ministrja ka bërë prezantimin në një mbledhje me drejtorët e MASH, i cili ka zgjatur fare pak. “Ne do të bëjmë të pamundurën dhe do të realizojmë premtimin tonë për të gjithë ata nxënës që kanë largësi të shkollës së tyre dhe u duhet të lëvizin me orë e me orë në këmbë, ne do t’u sigurojmë transportin falas. Po kështu, politika specifike në ndihmë të familjeve me nivel të ulët ekonomik, program specifik për fëmijët e komunitetit rom, program specifik për fëmijët me nevoja të veçanta”, tha ministrja Nikolla. Ajo premtoi se do t’i jepet zgjidhje çdo problematike që ekziston në fushën e arsimit. Dje, rreth 40 mijë fëmijë janë ulur për herë të parë në bankat e shkollës. Ndërsa në të gjitha vitet numri i tyre është mbi 640 mijë. Gëzimi, emocioni e lulet për mësueset nuk kanë munguar. Viti i ri shkollor nis me të njëjtat problematika të viteve të kaluara, ku rreth 60% e shkollave do ta zhvillojnë mësimin me turne. Gjimnazi “Sami Frashri” ka pasur dyndjen më të madhe të nxënësve edhe këtë vit. Sipas drejtoreshës Julinda Bllaca, janë hapur 16 vite të para, 14 vite të dyta dhe 15 matura. Numri i nxënësve në total është 1600, ndërsa në pjesën më të madhe të klasave ka 40 nxënës. “Është e pamundur që mësimi të bëhet me një turn, ashtu si vitin e kaluar do të bëjnë mësim pasdite klasat e 10-ta, ndërsa matura dhe klasat 11-ta do të jenë paradite”, tha Bllaca. Problem këtë vit kanë qenë edhe tekstet shkollore, një pjesë e mirë e të cilave mungojnë edhe për nxënësit e Tiranës. Në rrethe, situata është akoma më problematike, ku drejtuesit e shkollave udhëzojnë prindërit t’i drejtohen kryeqytetit për të siguruar paketat me libra. Pas një vëzhgimi të kryer në libraritë e kryeqytetit, konstatohet se vetëm në pak prej tyre mund të gjesh tekste shkollore. Madje, edhe në ato librari të cilat shesin vetëm librat e një shtëpie botuese, shitëset konfirmojnë për mungesa të disa teksteve. Në kryeqytet, nisja e vitit shkollor është shoqëruar me një kaos të vërtetë në trafik. Pas orës 7:30 të qarkulloje me makinë në qendër të Tiranës ishte mision i pamundur. Kjo, pavarësisht efektivëve të shumtë të Policisë Rrugore në të gjitha kryqëzimet. Situata është krijuar pasi të gjithë prindërit kanë dalë në të njëjtën orë nga shtëpitë e tyre për të dërguar fëmijët në shkollë. “M’u deshën gati dy orë për të shoqëruar tim bir sot në shkollë. Për fat të mirë është dita e parë dhe nuk ka mungesa, pasi në të kundërt rrezikonte mësimin. Trafiku ka qenë problematik në unazë dhe në qendër”, tha njëra prej nënave te shkolla “Vasil Shanto”. Akset më problematike ishin rruga Kombinat-Shkolla Teknologjike, “Myslym Shyri”.

/panorama/