Kështu u falën 21,9 milionë euro për një koncesion gjermano-shqiptar 4,1 euro
DURRËS, 12 shtator 2012 – në momentet e fundit, kur do të largohet nga posti, drejtori i përgjithshëm ekzekutiv i Autoritetit Portual Durrës sha, Eduard Ndreu, nuk e kanë të ftohet hallva, por brenda tri javësh, ka zbatuar amanetet e ish-Kryeministrit Sali Berisha dhe ish-ministrit të PPT, Sokol Ollashi për koncesionin e dyshimtë të terminalit të trageteve. Sikurse ka njoftuar me një ditë vonesë APD sha, kjo e fundit ka kryer më 11 shtator 2013 procedurat e dorëzimit të terminalit të trageteve dhe të transferimit të punonjësve shoqërisë koncesionare. Madje, Ndreu mburret se “me dhënien në koncesion të menaxhimit, operimit dhe mirëmbajtjes dhe përmirësimit teknik të Terminalit të Trageteve, APD sh-ja, pas dhënies më parë në koncesion të shërbimeve të terminalit të kontejnerëve dhe terminalit lindor, ka kryer një hap tjetër të rëndësishëm në zbatim të ligjit për Autoritetin Portual Durrës. Me kryerjen e privatizimit të shërbimeve të Terminalit Perëndimor, procedurë, e cila po vazhdon, APD sha-ja plotëson komplet rolin e tij si port administrues toke sipas standardeve evropiane”.
NXITIMI
Bie në sy nxitimi i klikës qeveritare-portuale për të larë njëherë e mirë hesapet me koncesionet e përfolura të portit: kontrata e koncesionit të terminalit të trageteve është lidhur me datë 22 gusht 2013 midis Ministrisë së Punëve Publike dhe Transportit (MPPT) dhe shoqërisë koncesionare Albanian Ferry Terminal Operator Shpk, bashkimi i shoqërive FRS Chartering Beteiligunsgesellschaft MBH dhe Global Networks Albania shpk, kurse marrja në dorëzim bëhet brenda tri javësh, më 11 shtator 2013. Pasi shteti shqiptar investoi 21,9 milionë euro për terminalin e përuruar një vit më parë, APD sha-ja thotë se shoqëria koncesionare do të investojë për 10 vitet e para rreth 4,143,000 euro nga të cilat 2,553,000 euro në mjete dhe makineri, pajisje përpunuese dhe operative e nevojshme dhe rreth 1,590,000 Euro për infrastrukturën. Dhe si për të qetësuar opinionin publik APD sha-ja thotë se me dhënien në koncesion të menaxhimit dhe operimit të terminalit APD-ja do të vazhdojë të ketë 100 për qind të ardhurat nga tragetet, si ato të kanalit dhe të përdorimit të kalatës, ndërkohe që do të ketë të ardhura të tjera nga të gjitha shërbimet në masën 50 për qind dhe të ardhurat nga qiraja vjetore. Ndërkohë, që autoriteti kontraktues, MPPT-ja, do të ketë 2 për qind të të ardhurave. “Dyrrah”-u është marrë disa herë me këtë problem: më 2 shtator 2013 ka botuar ivestigimin “ KLSH: Terminali i trageteve, projekti 150 mijë euro mbi kosto” (shih: durreslajm.com/speciale/klsh-
Info
Autoriteti kontraktues (MPPT), nëpërmjet kësaj kontrate dhe në përputhje me kushtet e saj, i jep koncesionarit të drejtën për investimin, menaxhimin, operimin, mirëmbajtjen dhe përmirësimin teknik dhe adaptimin për të përmbushur kërkesat aktuale dhe të ardhshme të trafikut në terminalin e trageteve dhe kroçerave Durrës (TTD), duke përfshirë imbarkimin dhe disimbarkimin e anijeve të kombinuara për udhëtarë dhe / ose RoRo (tragete, katamaranë etj) dhe të kroçerave dhe aktivitetet përkatëse të lidhura me to si ankorimi i anijeve, lëvizja e udhëtarëve në terminal, orientimi, depozitimi, magazinimi i mjeteve, pozicionimi, transporti, spuntimi, marrja dhe shpërndarja dhe përfshirjen e sigurimin e burimeve të nevojshme që janë mjetet dhe pajisjet, sistemet, praktikat, procedurat dhe programet, organizimin dhe burimet njerëzore në përputhje me praktikat më të mira industriale. Zona, në të cilën shtrihet ky koncesion: nga kalatat 8, 9 së bashku me zonat dhe sheshet korresponduese të operacioneve, trafikut dhe të depozitimit, përfshirë terminalin e pasagjerëve në zonën veriore sipas masterplanit të portit të Durrësit dhe kalata nr. 7 pa sheshet pas kësaj kalate, gjithashtu zona e parkimit dhe kryerjes se procedurave paraprake pranë hyrjes nr. 4 të portit të Durrësit.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





