DURRËS, 11 shtator 2013 – Në fillim të rrugës “Mbreti Pirro” në Durrës ka një tabelë për kufizim qarkullimi të mjeteve mbi 20 tonë. Por rruga është "shpartallluar" pas një viti, sepse në të kalojnë automjete të rënda me peshë deri 30 tonë.  Ka qenë një investim 121 milionë lekë në një bosht që lidh qytetin me zonën e ish-kënetës. Një pusetë e hapur në mes të një kthese të dyfishtë në këtë bosht rrugor shpesh ka qenë burim i aksidenteve të rënda. Sipas bashkisë së qytetit bregdetar, cilësia e punimeve në momentin e marrjes në dorëzim ka qenë brenda standardeve teknike, por kalimi i automjeteve të rënda në këtë aks rrugor e ka shkatërruar. Tani pushteti vendor ka vendosur kufizimin e qarkullimit të mjeteve të rënda. Durrësi nuk ka një rrugë të posaçme për automjetet e rënda. Zhurma që u bë për projektin e rrugës së parkut energjetik nga mbikalimi i Shkozetit deri në Porto Romano prej më shumë se tre vitesh është pezulluar.

/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/