11 shtator 2013- Shqipëria e 100 viteve më parë na shfaqet kaq e varfër, e prapë kaq e bukur, e thellë-thellë, kaq e dhimbshme. Robert Elsie, albanologu i njohur ka publikuar në sajtin e tij, një koleksion fotografish të rralla me rëndësi të madhe historike.Ato janë realizuar në vitin 1913 nga zvicerani Frederik Buasona (Frédéric apo Fred Boissonnas). Ndonëse nuk dihet muaji në të cilin fotografitë kanë marrë jetë, fakti që i përkasin vitit 1913, në të cilin Konferenca e Ambasadorëve në Londër dha verdiktin për Shqipërinë, i bën ato edhe më të veçanta. Mbi të gjitha, ka rëndësi fakti se në fokusin e Buasonasë ka qenë më së shumti Çamëria, ajo që ne humbëm.
Ura e Artës; plazhi dhe Kalaja e Pargës; imazhe nga Paramithia: një shtëpi karakteristike, tregu e xhamia e fshatit dhe gra shqiptare me veshje popullore, që qepin rrobat ulur në shkallë; kalaja e Janinës; Konica e famshme e Faikut; rreth pesë pamje nga Filati, ndër to edhe një gjol i vogël; lumi Tiamis në Vërselë të Çamërisë; Ura e Gumanit në Filat; dy foto nga Delvina; e më pas Kaçaniku, Ferizaj dhe malet e Sharrit; Gjilani e Fushë Kosova; Graçanica e Prishtina janë vendet që ai fokusoi në celuloid.
/standardi.info /





