BERLIN,13 gusht 2013 – Kancelarja gjermane, Angela Merkel u bë sot mësuese historie për t'u treguar disa gjimnazistëve mbi ndërtimin e Murit të Berlinit, që filloi saktësisht para 52 vjetësh. 

Merkel, e cila u rrit pas këtij muri, bëri daljen e parë publike që prej pushimeve të saj verore, gjashtë javë përpara zgjedhjeve legjislative të 22 shtatorit, pas të cilave ajo shpreson marrjen e një mandati të tretë katërvjeçar. Kancelarja, Angela Merkel bëri një shëtitje në lagjen ''Prenzlauerberg'', që gjendet në ish-Gjermaninë Lindore, duke u dhënë më pas dorën nxënësve të shkëlqyer dhe duke bërë foto me disa prej tyre. 
"1961, është viti kur unë fillova shkollën", u shpreh ajo duke zbuluar një pjesë të jetës së saj para se të bëhej kancelare, për të cilën ajo zgjodhi të fliste për herë të parë këtë vit pak para fushatës elektorale. 
Ajo tha se lëndët e saj të preferuara ishin rusishtja, anglishtja, gjermanishtja dhe matematika. 
Kancelarja theksoi se ndihej e kënaqur që ndante me gjimnazistët ngjarjet e jetës së saj. 


/BalkanWeb/