Durrësi, jo më trendi i shtëpive të dyta: në raport me disa vite më parë, çmimet kanë rënë me 50 për qind, p.sh. 800 euro/m katror, ndërsa dy-tre vite më parë ato arrinin në 1 200 euro/m katror
DURRËS, 13 gusht 2013 – Durrësi nuk është më trendi i shtëpive të dyta, deklaron për mediet Ervis Halili, agjent i kompanisë së famshme amerikane të pasurive të patundshme me shtrirje në të gjithë botën Century 21. “Vihet re se ka kërkesë shumë të ulët për të blerë shtëpi të dyta në këtë zonë dhe nga ana tjetër, një ofertë e madhe që pret”, thotë agjenti Halili i i filialit Century 21 Albania. “Në raport me disa vite më parë, çmimet kanë rënë me 50 për qind. Kjo rënie vlen më shumë për çmimet maksimale, që sot nuk janë më të larta se 800 euro metri katror, ndërsa dy-tre vite më parë ato arrinin në 1 200 euro/m katror. Një apartament sot në Durrës mund të blihet edhe me 400 euro/m katror, kryesisht në vijën e tretë të plazhit, duke nisur që nga zona e Urës së Dajlanit për të vazhduar me Shkëmbin e Kavajës. Minimumi i çmimeve këtu është 400 euro/m katror, ndërsa maksimumi mund të arrijë në 700-800 euro/m katror. Në zonën e Shkëmbit të Kavajës çmimi mesatar sot është 500 euro/m katror”.
“Taulantia”
Megjithatë, agjentja Nelda Gongo thotë së një apartament në sheshin “Taulantia” të Durrësit me sipërfaqe 95 metra katrorë shitet për 92 000 euro. I bie që çmimi për metër katror të jetë 968.42 euro metri katror, jo aq i ulët. Por nisur nga një vit më parë kur mund ta siguroje me 1 200 euro metri katror, ka njëfarë ngushëllimi. Sipas Gongos, apartamenti ndodhet në një prej zonave më të këndshme të qytetit të Durrësit. Apartamenti është i pabanuar më parë dhe mund të shitet edhe i mobiluar. Apartamenti ka dy dhoma gjumi, njëra prej të cilave është arreduar për studio; 1 sallon së bashku me këndin e gatimit; 2 tualete dhe një ballkon me pamje nga deti.
Trojet
Por shpesh çmimet e trojeve paraqesin amplituda të pashpjegueshme. Agjenti Alfons Lacaj thotë se 4 mijë metra katrorë tokë arë në Ishëm, Gjiri i Lalëzit, shiten me 55 euro metri katror, dhe pse është zonë me të ardhme të jashtëzakonshme turistike: ndodhet 700 larg bregut të Gjirit të Lalëzit, 10 metra mbi nivelin e rrugës. Kurse Ervis Halili thotë se 12.070 m katrorë në Porto-Romano shiten me një çmim prej 144.84 euro metri katror, ose mbi 2,6 herë më shtrenjtë se në Lalëz.
Qiratë
Agjentja Blerta Cara thotë një dyqan në formë dupleksi, me sipërfaqe – kati i parë 140 m katrorë dhe i dyti 37m katrorë – i gjithi me fasadë xhami, në një nga zonat më të mira të qytetit të Durrësit, jepet me qira për 1 200 euro. Është një rënie e konsiderueshme e vlerës së qirasë kjo dhe për shkak të krizës. Edhe ofertat e tjera janë të reduktuara.
/th. m. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





