TIRANË,13 gusht 2013- Numri i lartë i aksidenteve automobilistike në vendin tonë vazhdon të jetë një nga shqetësimet kryesore të sigurisë rrugore.
Vetëm për 105 ditët e fundit janë shkaktuar 102 viktima. Kryekomisar Ismail Aliaj, specialist i sektorit të trafikut dhe sigurisë rrugore në Policinë e Shtetit në një intervistë të zgjeruar pasqyron statistikat dhe gjendjen aktuale në rrugët e vendit.
“Gjatë 3 mujorit qershor-korrik kanë ndodhur 198 aksidente, ku kanë vdekur 84 persona, 118 janë plagosur rëndë, 452 janë plagosur lehtë. Për sa I përket muajit gusht, raportohen 91 aksidente me 18 të vrarë, 15 të plagosur rëndë dhe 88 të plagosur lehtë. Ndërsa gjatë vitit 2012 kanë ndodhur 230 aksidente me pasojë 101 të vrarë, 152 të plagosur rëndë dhe 493 të plagosur lehtë. Pjesa më e madhe e të aksidentuarve janë të moshave të reja nga 25 deri në 45 vjec”, thotë Aliaj.
Natyra e aksidenteve rrugore sipas Kryekomisarit ka ndryshuar gjatë këtij viti ku janë konstatuar rritje e humbjes së kontrollit nga ana e drejtuesve të mjeteve. “Ka ndryshuar dhe natyra e aksidenteve, tashmë ka më pak aksidente për parakalime të gabuara . Aksidentet e ditëve të fundit janë për shkak të humbjes së kontrollit nga drejtuesit e mjeteve që paraqesin shenja lodhje dhe përplasen me objekte fikse”, thotë Alia.
Por kush janë rrugët më problematike në Shqipëri me numrin më të lartë të aksidenteve automobilistike?
Alia shprehet se, “Janë rrugët nga kufiri në drejtim të vendeve turistike, por numri më i lartë i ngjarjeve ndodh në afërsi të qendrave të banuara. Cilësia e rrugës dhe mungesa e sinjalistikës janë shkaqet kryesore për numrin e lartë të aksidenteve në aksin Milot-Lezhë. Përdorimi i radarëve është një nga mjetet që rrit eficensën e ndëshkueshmërisë dhe minimizon aksidentet. 6 radarë dopler janë instaluar në akset me shpejtësi të lartë lëvizje”.
Sipas tij, janë ndërmarrë fushata sensibiluzese nga policia rrugore për ndërgjegjësimin e drejtusve të mjeteve. “Këto fushata kryesisht janë përqendruar në pikat kufitare”.
Aliaj shton se, qytetarët po përdorin më shumë rripin e sigurimit gjatë udhëtimeve të gjata duke ulur kësisoj numrin e aksideteve me vdekje.
Ai nënvizoi më tej se ka vazhduar edhe “Memorandumi i bashkëpunimit me Kosovën. Edhe gjatë kësaj vere punojmë me 6 pikë të përbashkëta kontrolli kryesisht përgjatë rrugëve të destinacioneve tursitike”.
/News24/





