12 gusht 2013 – Avokati i Popullit, Igli Totozani duke reaguar sot per ceshtjen e debimit te familjeve rome i ka bëre thirrje Bashkisë së Tiranës dhe Ministrisë së Punës dhe Ceshtjeve Sociale që të marrin masa urgjente për sistemimin e tyre.
Ne nje konference per mediat, Totozani ka kerkuar gjetjen e nje zgjidhjeje te shpejte, udke deklaruar se familjet kane qendruar ne qiell te hapur.
“I kërkojmë Bashkisë Tiranë, Ministrisë së Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta që nëpërmjet shërbimeve të tyre sociale dhe programeve respektive për strehim dhe ndihmë të paraqiten urgjentisht pranë familjeve të dëbuara për të njohur dhe administruar nevojat emergjente të pjesëtarëve të tyre. Të marrin urgjentisht masa të shpejta për të siguruar ndihmën e nevojshme emergjente dhe komplekese për këto familje si dhe të marrin masat e duhura për të siguruar pa vonesë strehim të pranueshëm në respekt të standardeve ndërkombëtare, të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor” tha Totozani.
Ai i rikujton qeverisë Shqiptare detyrimet e saj që rrjedhin nga ligji ndërkombëtar dhe në mënyrë të vecantë nga Pakti Ndërkombëtar për të Drejtat Ekonomike Sociale dhe Kulturorë, ratifikuar ngë Shqipëria në 1991, objektivat e marra përsipër në kuadër të dekadës Rome 2005-2015 dhe Planin e Veprimit për përfshirjen Rome.
“Në mënyrë të veçantë Avokati i Popullit i kujton qeverisë Shqiptare nenin 14 të Konventën Europiane të të Drejtave të Njeriut ratifikuar nga Shqipëria si dhe nenin 18 të Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë në të cilat sanksionohet parimi i mosdiskriminimit” tha ai.

Reagimi i kompanise se ndertimit 

Kompania e ndërtimit ‘Park Construction Albania shpk’, nepermjet një deklarate per mediat sqaron se romet nuk jane debuar, ata kane firmosur per gjithcka. 

Deklarata 
Kompania “Park Construction Albania shpk, në lidhje me këtë çështje sjell disa pika ku sqaron: 

1. Kompania është duke investuar ndërtimin e një objekti banimi, konform të gjitha rregullave që imponon legjislacioni shqiptar. Brenda këtij territori gjendeshin të vendosur në objekte portative banimi(shumica e të cilave konstruksion dërrase) disa dhjetëra familje rome. 

2. Kompania ka kontaktuar nëpërmjet përfaqësuesve të saj anëtarët e këtij komuniteti duke i bërë të ditur planet e saj për zhvillimin e zonës dhe duke u kërkuar zhvendosjen. 

3. Pas këtij komunikimi romët i janë drejtuar Avokatit të Popullit më datën 2 Korrik 2013 dhe i kanë kërkuar ndihmë. 

4. Më datën 3 Korrik 2013, nëpërmjet një praktike të protokolluar, kompania i dërgoi Avokatit të Popullit dokumentacionin që përfshin: a) Procesverbal i dorëzimit të truallit nga shteti tek pronarët e tokës, i datës 07.07.2010. b)Kontratën e shit-blerjes së pasurisë së paluajtshme që ndodhej mbi këtë truall. C) Certifikatë pronësie që vërteton se toka është në emër të pronarëve të tokës. D) Prokurën e posaçme që pronarët e tokës i japin shoqërisë sonë që të merret me zhvillimin e zonës. 

5. Pasi kryen dorëzimin e kësaj praktike, kompania nis komunikimin verbal me banorët, dhe në konsensus të plotë banorët bien dakord të nisin çmontimin e strukturave portative dhe zhvendosjen. 

6. Më datën 7 Korrik 2013, 4 prej familjeve rome që jetonin në një kapanon që ishte në pronësi të pronarëve(mbuluar me strukturë hekuri) kontaktojnë përfaqësuesin e kompanisë dhe i kërkuan që hekurin e strukturës ta merrnin me vete që ta shisnin më pas. Kompania u tha që mund ta merrnin. Atëherë këto familje kërkuan dhe ndihmën e kompanisë për një eskavator që të ulte në shesh strukturën e hekurit që ata ta prisnin dhe ta transportonin më lehtë. Në momentin që mbërrin eskavatori dhe nis punën, vjen policia e cila ishte informuar në mënyrë të gënjeshtërt se po prisheshin godinat me eskavator ndërsa familjet rome ishin brenda godinës. Policia ka bërë hetim direkt në terren dhe ka pyetur këto 4 familje të cilat mohuan kategorikisht duke siguruar policinë se ishin tërësisht dakord me atë që po ndodhte. Këto deklarime anëtarët e 4 familjeve i kanë dhënë dhe në polici me shkrim në prani të psikologut. 

7. Kompania disponon deklaratat e nënshkruara me vullnet të lirë të të gjitha familjeve që pranojnë të zhvendosen. Kompania me shpenzimet e saj ka marrë përsipër koston e zhvendosjes së tyre duke i paguar. Të gjitha familjet kanë firmosur list-pagesën ku çdo person ka firmosur duke u identifikuar dhe me nr. e kartës së identitetit. 

“Kompania, ka vendosur që sa më shpejtë të organizojë një tryezë në bashkëpunim edhe me kompani të tjera që operojnë në sektorin e ndërtimit, për të parë mundësitë e gjetjes së mënyrave dhe skemave për të kontribuar në lehtësimin e strehimit të shtresave në nevojë. Kur të organizohet kjo tryezë, sigurojmë se do të ftojmë dhe Avokatin e Popullit, përfaqësues të pushtetit lokal, por dhe përfaqësues të OSBE-së, nga të cilët presim mendime të çmuara”, thekson me tej kjo kompani ndertimi. 

Kompania akuzon Avokatin e Popullit se ka manipuluar opinionin me deklaratat e veta. 
“Avokati I Popullit, gjatë gjithë kohës ka qenë në dijeni të plotë të këtyre ngjarjeve, të cilat kanë ndodhur siç i shpjegon kjo deklaratë, por në mënyrë të qëllimshme ka manipuluar me deklaratat e veta opinionin publik. Gjithashtu media të caktuara, kanë manipuluar, abuzuar dhe keqinformuar opinionin publik me raportime të cilat nuk pasqyrojnë realitetin. Sfidojmë dhe ftojmë të gjitha mediat, të verifikojnë pronësinë mbi tokën dhe godinat, të verfikojnë deklaratat e dhëna në polici nga komuniteti rom në praninë e psikologëve në lidhje me këtë çështje për të parë dhe pasqyruar atë që realisht ka ndodhur”- thuhet ne te. 

Sqarime jepen edhe per emrin e Mihal Delijorgjit lakuar si i perfshire ne kete ceshtje. 
“Kompania “Park Construction Albania” dëshiron të sqarojë, se emri i përfolur i Mihal Delijorgjit në media të caktuara është bërë në mënyrë abuzive, jashtë kontekstit real dhe denigruese. Mihal Delijorgji është një i punësuar pranë shoqërisë “Parc Construction Albania” dhe nuk ka asnjë tagër pronësie as mbi truallin as mbi godinat dhe as mbi kompaninë investuese. Aktualisht kompania ka administruar të gjitha kronikat televizive dhe botimet në shtypin e shkruar dhe është duke konsultuar zyrën e vetë juridike për të marrë masa ligjore ndaj medieve që manipuluan opinionin publik duke denigruar imazhin e kompanisë dhe të Mihal Delijorgjit si i punësuar i kompanisë sonë”- sqaron kompania.

/panorama/